Raportohet se katër persona kanë mbetur të lënduar në Oslo, pasi një tramvaj ka dalë nga shinat në qendër të kryeqytetit norvegjez, duke u përplasur në një dyqan telefonash dhe kompjuterësh të martën, përcjell albinfo.ch.
Rreth 20 persona ishin në tramvaj në momentin e incidentit, kur ai doli nga shinat në një kryqëzim në Storgata, një nga rrugët kryesore të kryeqytetit norvegjez, raporton AP.
Pamjet nga vendi i ngjarjes tregojnë se pjesa më e madhe e tramvajit ishte përplasur në dyqan.
Shoferi i tramvajit ishte mes të plagosurve. Policia ka thënë se të gjithë u trajtuan në vendngjarje, por askush nuk kishte lëndime serioze.
Shkaku i aksidentit nuk u përcaktua menjëherë teksa policia ka thënë se po prisnin anëtarët e Autoritetit të Hetimit të Sigurisë Norvegjeze për të mbërritur.
Ndërtesa katërkatëshe ku u përplas tramvaji është evakuuar më vonë për të kontrolluar për dëmtime strukturore.