Kosova

Buxheti i Kosovës për vitin 2024, 3 miliardë e 314 milionë euro

Qeveria e Kosovës ka miratuar projektligjin për ndarjet buxhetore për vitin 2024, përcjell albinfo.ch.

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka lavdëruar punën e Qeverisë për gjatë mandatit të tij, teksa ka njoftuar se buxheti për vitin 2024 do të jetë 3 miliardë e 314 milionë euro.

“Kemi rritur ekonominë, janë shtuar vendet e punës. Kjo është si rezultat i masave të suksesshme për rritjen e ekonomisë. Buxheti i shtetit për vitin 2024 do të jetë 3 miliardë e 314 milionë euro”, tha ai.

Kurti deklaroi se do të rriten pagat në sektorin publik dhe se do të ketë investime të shumta.

“Ky buxhet është i të gjithëve. Si Qeveri e kemi detyrë të menaxhojmë mirë, e të shtojmë vendet e reja të punës. Kemi edhe sfida të tjera që do të përballemi”, deklaroi kryeministri Kurti.

 

Fjalimi i plotë:

Sot si pikë të rendit të ditës e kemi miratimin e buxhetit për vitin 2024, e që njëkohësisht i bie të jetë buxheti i tretë vjetor që po e miratojmë, pas atyre për vitet 2022 dhe 2023.

Që prej marrjes së mandatit në mars të vitit 2021 deri më tani, jemi ballafaquar me më shumë sfida globale se cilado Qeveri tjetër që nga paslufta.

Gjasat për një pandemi siç ishte ajo e Covid-19 janë një në 100 vjet. Çmime të energjisë që i pamë vitin e kaluar nuk ishin parë asnjëherë më parë e ndoshta krahasimi më i përafërt është me krizën e naftës në vitet e 70-ta, pra një krizë e tillë mund të ndodhë një herë në 50 vjet. Inflacion dyshifror në nivel global herën e fundit ishte parë në vitet e 80-ta, pra diçka që ndodhë një herë në 40 vjet.

Shpeshherë mjafton një krizë e këtyre përmasave që ta gjunjëzojë një Qeveri apo një shtet. Për fatin tonë si Qeveri, tri kriza globale, me gjasa të vogla të ndodhin ngjanë brenda një mandati, dhe megjithëkëtë, ia dolëm shumë më mirë sesa të tjerët na e prognozonin.

Menaxhuam pandeminë, tejkaluam krizën energjetike, dhe mbështetëm qytetarët për t’u përballur me inflacionin. Dhe jo vetëm që menaxhuam këto kriza me sukses, por arritëm që përgjatë këtyre viteve të vështira, edhe të rrisim ekonominë edhe vendet e punës si asnjëherë më parë.

Për këta 31 muaj të mandatit tonë, ekonomisë i’u shtuam 60 mijë vende pune, ku gjysma e të punësuarve janë të rinj e të reja nën moshën 25 vjeçare. Kjo si rezultat i politikave e masave të suksesshme për rritje të ekonomisë e të punësimit ku ndër tjera: mbështetëm bujkun me subvencione të rritura, mbështetëm prodhuesit vendorë me subvencionim të kredive investuese, mbështetëm bizneset dhe punësimin e grave, mbështetëm bizneset dhe punësimin e komuniteteve jo-shumicë, mbështetëm sektorin e teknologjisë informative me bursa e kuponë për kurse, familjet pa asnjë të punësuar përmes masës Qeveria për Familjet i përkrahëm, mbështetëm punësimin e personave me aftësi të kufizuara, si dhe mbështetëm drejtpërdrejtë edhe punësimin e të rinjve nëpërmjet programit Superpuna.