Shqipëria
Shqipëria bëhet gati për zgjedhjet lokale
Në Shqipëri është mbyllur fushata e partive politike për zgjedhjet lokale.
Partia Socialiste zhvilloi tubimin e fundit të fushatës në Durrës. Kryeministri Edi Rama deklaroi se projektet e zhvillimit turistik dhe ekonomik kanë nevojë për mbështetje me vota në pushtetin vendor.
“Bëhet fjalë për të ardhmen dhe një potencial të jashtëzakonshëm, dhe nevojitet më shumë punë dhe energji, që ta vëmë në shërbim të komunitetit. Ne u themi të gjithëve që të votojnë për kandidatët tanë, se ata punojnë për të ardhmen”, tha ai, shkruan Zëri i Amerikës.
Partia Demokratike e mbylli fushatën me një tubim në kryeqytet. Kryetari i saj, Enkelejd Alibeaj, tha se PD ka kaluar vitin e fundit periudhën më të vështirë të saj. “Trekëndëshi i së keqes u mundua me të gjitha mjetet, mediatike, financiare dhe kriminale për të ndaluar në rrugën e saj Partinë Demokratike, por ne nuk u stepëm aspak dhe nuk u dekurajuam për asnjë moment”, u shpreh ai, përcjell albinfo.ch.
Koalicioni “Bashkë Fitojmë” po ashtu e përfundoi fushatën në Tiranë. Kryetari i Partisë së Lirisë, pjesëtare e koalicionit, Ilir Meta, deklaroi se me zgjedhjet vendore e 14 majit do të ndahet nga një regjim monist dhe i korruptuar i kryeministrit Rama.
“Rama u përpoq të rrotullonte fushatën rreth emrit të tij dhe u përpoq të shmangte llogaridhënien. Rama është kryeministri më i dështuar, dhe ka qenë edhe basketbollist i dështuar”, tha ai. Ndërkohë, Sali Berisha u shpreh se koalicioni “Bashkë Fitojmë” po u bën thirrje qytetarëve të reflektojnë për gjendjen ekonomike, me çmimet gjithnjë në rritje, për listat e gjata të borxheve nëpër shitore.
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, u bëri thirrje qytetarëve që të votojnë me përgjegjësi dhe të zgjedhin përfaqësuesin e tyre në pushtetin vendor, pasi kanë dëgjuar prej disa javësh propozime dhe platforma nga më të ndryshmet. “Vota juaj është thelbësorja. Tani të gjithë duhet të heshtin, sepse ju do të flisni. Zgjedhjet vendore ju japin mundësinë për të përmirësuar hapësirën e drejtpërdrejtë të jetesës”, shkruan Zëri i Amerikës.
Të dielën Shqipëria voton për kryetarët dhe këshillat e 61 bashkive të vendit. Këto zgjedhje opozita pritet të kthehet në institucionet e pushtetit vendor pas katër vjet mungese për shkak të bojkotit në zgjedhjet e vitit 2019. Gjatë kësaj periudhe socialistët drejtuan pothuaj gjithë bashkitë e vendit, përcjell albinfo.ch.
E-Diaspora
-
Mbi 18 mijë votues nga Zvicra për zgjedhjet në Kosovë Mërgata kosovare në Zvicër po dëshmon edhe këtë herë interes të lartë për procesin zgjedhor në... -
Leyla Ibrahimi-Salahi uron udhëtarët: “Na pret një 2026 plot risi” -
Traditë shqiptare e Krishtlindjes që ndriçon një lagje zvicerane -
Fehmi Mahalla: Nga Ferizaj në Lozanë, kampion dhe trajner i kampionëve -
Studentët shqiptarë në Zvicër në takim me Ambasadën e Shqipërisë në Bernë për Ditën Kombëtare të Diasporës
Jeta në Austri
-
Sulmohet me armë xhamia e shqiptarëve në Austri Mbrëmjen e kaluar, rreth orës 23:55, persona të panjohur kanë sulmuar hyrjen e xhamisë shqiptare në... -
Trump dëshiron ta shkëpusë Austrinë nga BE-ja -
Austria do të vazhdojë angazhimin e saj në KFOR, deri në 600 ushtarë në vitin 2026 -
“Varg e Vi” me projekt në Vjenë -
Policia bastisë shtëpinë e 46 vjeçarit në Austri, zbuluan simbole naziste












