Maqedonia
Presidenti austriak në Shkup: Ndryshoni Kushtetutën
Presidenti i Austrisë, Aleksandar Van der Belen, ka kërkuar nga autoritetet maqedonase që sa më parë të miratojnë ndryshimet kushtetuese, të domosdoshme, sipas tij, në procesin e integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut, përcjell albinfo.ch.
Pas takimit me presidentin maqedonas, Stevo Pendarovaki, ai tha se Shkupi duhet të vazhdojë të jetë shembull në rajon sa i përket respektimit të të drejtave të pakicave kombëtare.
“Kjo nuk ka të bëjë vetëm me shqiptarët, por me të gjitha pakicat e tjera. Që procesi integrimit evropian të ecë përpara, duhet të bëhet edhe një hap tjetër, të miratohen ndryshimet kushtetuese, ashtu siç jeni marrë vesh”.
“Unë i kuptoj frustrimet sa i përket zgjatjes së procesit të integrimit evropian, por pikërisht për shkak të kësaj është me rëndësi që të shfrytëzohet momenti aktual dhe mos të humbet edhe më shumë kohë. Ju keni mbështetjen tonë të plotë”, tha presidenti austriak gjatë konferencës për media, më 29 mars, në Shkup.
Ndryshimet duhet të bëhen për përfshirjen e pakicës bullgare në preambulën e Kushtetutës maqedonase, si popull shtetformues, ashtu siç parashihet me marrëveshjen me Bullgarinë, bazuar në atë që njihet si “propozimi francez” për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes dy shteteve për identitetin maqedonas, gjuhën dhe dallimet historike.
Van der Belen i bëri thirrje opozitës maqedonase, që drejtohet nga VMRO DPMNE-ja, që t’i mbështesë ndryshimet, për të cilat nevojiten dy të tretat, apo 80 nga 120 deputetët e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut.
Por, shumica parlamentare aktualisht ka 74 vota, që do të thotë se pa votat e opozitës, ndryshimet nuk mund të bëhen.
Pendarovski tha se ndryshimet kushtetuese duhet të miratohen, pasi sipas tij, nuk do të ketë kornizë negociuese më të mirë se kjo që është arritur me BE-në.
“Korniza për të cilët është biseduar disa muaj parasheh përfshirjen e pakicës bullgare në Kushtetutë dhe ajo duhet të miratohet. Këto ditë besoj se do të formohet grupi i ekspertëve, i cili do të nisë punën për hartimin e amendamenteve kushtetuese – të cilat më pas duhet të miratohen në Kuvend”, tha ai.
Sipas tij, nëse këto ndryshime nuk kalojnë, atëherë Sofja sërish mund të bllokojë procesin e bisedimeve.
“Maqedonia e Veriut është shteti i vetëm në botë që ndryshoi emrin e shtetit që të fillojë bisedimet me BE-në për anëtarësim, por akoma pret në oborrin e unionit, edhe pse formalisht ka nisur bisedimet. Me qëllim të ruajtjes së kredibilitetit në rajon dhe më gjerë, Bashkimi Evropian nuk duhet të lejojë që ndonjë anëtare e saj të paraqesë ndonjë kërkesë apo të problematizojë ndonjë çështje me kritere që nuk kanë asnjë lidhje me anëtarësimin në BE. Të bllokoni një shtet për shkak të çështjeve me identitetin apo çështje historike, është e papranueshme dhe nuk duhet të lejohet”, tha presidenti maqedonas.
Ndërsa presidenti austriak shprehu mirënjohje për Maqedoninë e Veriut, e cila i mbështeti sanksionet e bllokut kundër Rusisë dhe ofroi ndihmë për Ukrainën.
“Maqedonia e Veriut është shembull shumë i mirë edhe për bashkëpunimin rajonal, përfshirë edhe procesin për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë. Para dhjetë ditëve këtu ishte nikoqir i bisedimeve mes dy vendeve. Ajo po jep rol të rëndësishëm edhe me kryesimin e OSBE-së”, tha ai.
Të tjera nga Maqedonia
E-Diaspora
-
Hapet shkolla shqipe në Lubjanë për fëmijët e diasporës Nisma realizohet nga Shoqata Shqiptare “Migjeni” me mbështetjen e Ambasadave të Shqipërisë dhe Kosovës... -
Iftari tradicional bashkon personalitete fetare, institucionale dhe diplomatike në Wil -
Lucern
Mbi 100 shahistë në turneun tradicional humanitar të shahut në Lucern -
Më 8 mars në Cyrih, panel mbi sfidat e grave në familje dhe shoqëri -
SVP, me 3700 nënshkrime kundër xhamisë së shqiptarëve në Schwyz
Jeta në Austri
-
Martesat dhe divorcet shënuan rënie në Austri gjatë vitit 2025 Të dhënat e reja të Statistik Austria tregojnë më pak martesa dhe divorce në vitin 2025,... -
Austri
Nuk u vlerësua nga juria, por kënga e Sidrit Vokshit bëhet hit ne Austri -
Vjena rrit ndihmën për të pastrehët gjatë stuhisë dimërore -
Baden
Baden-Austri: SHKA „17 Shkurti“ organizon të shtunën koncert për Pavarësinë e Kosovës -
I papunë në pushime, AMS me gjoba të ashpra












