Kosova

Osmani: Akti i dhunës ndaj një të moshuare është tronditës, i papranueshëm dhe i patolerueshëm

Dhuna e ushtruar ndaj një të moshuare në një strehimore në Pejë ka nxitur reagimin e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani. Përmes një delarate për media, Zyra e presidentes shkruan se dhuna është e papranueshme, pavarësisht ndaj kujt drejtohet. “T`i bësh cak dhune të moshuarit, është krim i dyfishtë. Ata janë pjesa më e ndjeshme e shoqërisë, kontributi i tyre është themeli jonë”, thuhet mes tjerash në reagim.

Po ashtu, akti i sotëm i dhunës ndaj një të moshuare cilësohet tronditës, i papranueshëm dhe i patolerueshëm, ndaj Zyra e Presidentes e dënon fuqishëm, transmeton albinfo.ch.

“Mekanizmat kompetentë duhet t’i forcojnë dhe të mbikëqyrin kriteret e përzgjedhjes, në mënyrë që atyre që u besohet trajtimi i fëmijëve, grave dhe të moshuarve të kalojnë nëpër filtra të ashpra të rekrutimit. E kemi obligim ta bëjmë një shoqëri sa më humane dhe kjo përpjekje jona duhet të jetë e përditshme”, përfundon deklarata.

Zyra e Presidentes fton organet e drejtësisë që këtë rast ta trajtojnë me prioritet, ngase akte të tilla janë të patolerueshme dhe të dënueshme.