Lajme

Testet për COVID-19 që kërkon Zvicra pasi të ktheheni nga udhëtimet dhe çmimet e tyre

Zvicra e ka hequr Kosovën nga lista e vendeve me rrezik. Kjo ka ndikuar që shumë mërgimtarë që jetojnë në Zvicër të vizitojnë Kosovën. Por, cilat teste të Covid-19 u duhen atyre kur të kthehen në Zvicër?

Udhëtimi në kohën e koronavirusit është bërë më i komplikuar, kjo për shkak të rregullave që shtetet i ndryshojnë kohë pas kohe. Njejtë ka vepruar edhe shteti zviceran, ku në bazë të vlerësimit të situatës së pandemisë, ka vënë vazhdimisht rregulla të reja për udhëtime. Së fundmi, Zvicra e ka hequr Kosovën nga lista e vendeve me rrezik (BAG). Kjo ka ndikuar që shumë mërgimtarë që jetojnë në Zvicër të vizitojnë Kosovën. Por, cilat teste të Covid-19 u duhen atyre kur të kthehen në Zvicër?

Rreth kësaj, albinfo.ch ka intervistuar specialisten e kësaj fushe, dr.Fatime Imeri Berisha, e cila është bashkëpronare dhe CEO e disa laboratorëve dhe klinikave mjekësore në Zvicër.

“Zvicra e kërkon testin PCR. Teste PCR ka të ndryshme dhe ato i bëjnë laboratorët mjekësorë. Testet PCR duhet të jenë të testuara nga laboratori sipas një procedure të caktuar nga Insituti Federal Swissmedic, nga i cili lejohet përdorimi, pasi të dërgohet dokumentacioni i duhur i testimit. Testi i shpejtë „Antigjen“, i cili pranohet në disa shtete, nuk mjafton për të hyrë në Zvicër, nëse udhëtoni me aeroplan”, ka treguar mjekja dhe specialistja e shumëfishtë, Fatime Imeri Berisha.

Cilat teste janë falas dhe cilat duhet të paguhen

Testet për COVID-19 në Zvicër në të shumtën e rasteve janë falas, megjithatë kur udhëtoni jashtë vendit duhet të paguajë vetë individi.

“Testet PCR janë në të shumtën e rasteve falas për të testuarit dhe ato i paguan shteti ose në disa raste sigurimi. Çmimi që e paguan shteti apo sigurimet, tash e disa javë nuk është fiks por përcaktohet çdo të mërkurë nga Ministria e Shëndetësisë. Se sa do të kushtojë testi PCR javën e ardhshme, varet nga numri total i testeve PCR që është bërë këtë javë. Nëse janë bërë më pak se 100.000 teste p.sh., atëherë testi PCR do të kushtojë 106 chf, nëse janë bërë më shumë se 200.000 teste, testi PCR javën në vijim kushton 88 chf, e kështu me radhë. Shumë rrallë, testin duhet ta paguajë vetë individi, si p.sh. nëse dikujt i nevojitet testi për udhëtim jashtë Zvicrës. Ky test mund të bëhet në qendra të testimit kurse çmimi është më i lartë se në laborator, sepse këto qendra kërkojnë një shumë të caktuar për shërbimet e tyre. Çmimi sillet përafërsisht nga 120-195 chf. Testi PCR që nevojitet për të udhëtuar mund të bëhet edhe nëpërmes mjekut familjar dhe çmimi është 150-160 chf”, thotë dr.Imeri Berisha, për albinfo.ch.

Ajo po ashtu thekson se “nëse një individ është kthyer në Zvicër nga ndonjë shtet tjetër dhe duhet të karantinohet, në ditën e 7-të të karantinës, ai mund të bëjë testin e shpejtë « Antigjen » apo testin PCR falas dhe të lirohet para kohës nga karantina, nëse ky test rezulton negativ”.

Edhe të vaksinuarit duhet të testohen, në rast udhëtimi jashtë Zvicrës

Ndryshe, dr. Imeri Berisha, bën të ditur se edhe personat që tashmë janë vaksinuar, deri më tani duhet të testohen kur udhëtojnë jashtë Zvicrës.

“Tash për tash në të shumtën e rasteve po. Arsyeja është sepse nuk ka ende marrëveshje mes shteteve dhe nuk ka certifikatë internacionale apo pasaportë të vaksinimit kundër COVID-19”, ka përfunduar ajo.

Testet për COVID-19 në Zvicër janë testet e shpejta “Antigjen”, testet PCR, testet e shpejta për vetëpërdorim dhe testet e ndryshme në gjak. Testet e shpejta “Antigjen” janë falas për të testuarit, ato i bëjnë qendrat e testimit, mjekët apo barnatoret, ndërsa në barnatore shpërndahen falas testet për vetëpërdorim.

Numri total i testeve PCR në Zvicër nga 6 shkurti 2020 deri më 12 maj 2021 është 5,820,019, kurse i atyre “Antigjen” 1,359, 341. Mesatarja e rasteve pozitive për testin PCR për tërë periudhën është 10.7%. Ndërsa, vetëm për një muaj, nga data 13 prill 2021 deri më 12 maj 2021 janë bërë 525,695 teste PCR dhe prej tyre 8.5% kanë rezultuar pozitiv./Albinfo.ch