Tematike

Më shumë para dhe pushim për personat që kujdesen për familjarët e sëmurë

Për prindërit, fëmijët e të cilëve si pasojë e sëmundjes ose aksidentit janë të varur nga përkujdesja e të tjerëve, me ligjin e ri do të kenë mundësi të marrin një pushim prej 14 javësh

Këshilli Federal i Zvicrës planifikon të përmirësojë pozitën e familjarëve të personave që kanë nevojë për përkujdesje, për çfarë dhe i ka dorëzuar  parlamentit për shqyrtim projektligjin përkatës.

Aktualisht prindërit me fëmijë të sëmurë nuk mund të marrin pushim më të gjatë se tri ditë, thuhet në një komunikatë të autoriteteve federale. Në të ardhmen kjo mundësi do të vlejë jo vetëm për fëmijët por edhe për partnerin/partneren ose familjarët tjerë, kur ata/ato kanë nevojë për përkudjesje nga të tjerët, transmeton albinfo.ch. Ky rregullim i ri do t`i kushtonte ekonomisë në mes 90 dhe 150 milionë franga.

Ligji i ri mundëson, veç tjerash që personi i cili duhet të kujdeset për familjarin e tij më së shumti tri ditë, të ketë të drejtë për vazhdim të pagesës së rrogës, në rast të mungesës nga puna, të shkaktuar nga kjo arsye. Në këtë mënyrë, të gjithë të punësuarit do të fitojnë një siguri më të madhe juridike, arsyeton Këshilli Federal.

Prindërve të fëmijëve me nevoja të veçanta duhet t`u paguhet një dëmshpërblim dhe një shtesë për shkak të përkujdesjes intensive gjatë qëndrimit në spital të fëmijës së tyre, përcjell albinfo.ch. Veç kësaj, për prindërit, fëmijët e të cilëve si pasojë e sëmundjes ose aksidentit janë të varur nga përkujdesja e të tjerëve, me ligjin e ri do të kenë mundësi të marrin një pushim prej 14 javësh nga puna, me pagesë.

Sipas qeverisë së vendit, kjo tematikë i prek për çdo vit rreth 4500 familje. Kostoja shtesë do të financohej nga një ndryshim në skemën e profesioneve. Konsiderohet se ky ndryshim do të shkaktojë një kosto shtesë prej 74 milionë frangash.

Këshilli Federal dëshiron gjithashtu që të zgjerojë edhe të drejtën për marrje të kredisë me qëllim përkujdesjeje për AHV. Kjo kredi, me të renë do të duhej të jepej edhe në rastet kur personi i mbikëqyrur ka nevojë të lehtë për ndihmë ose përkujdesje.

Projektligji i dërguar për shqyrtim është përshëndetur nga shumica e partive parlamentare pëveç SVP-së. Po ashtu kundërshtime ndaj tij kanë shprehur organizatat që përfaqësojnë punëdhënësit.