Tematike

EKM: Ligji i ri për të huajt dërgon sinjale të gabuara

Komisioni Federal i Migracionit ka bërë analizimin e ndikimeve të shumta që bëjnë propozimet e Këshillit Federal dhe ato të Parlamentit Nacional

Ndryshimet që po i bëhen të drejtës së të huajve në Zvicër çojnë drejt ashpërsimit të qëndrimit të shtetit në raport e të huajt. Ky ashpërim ka sjellë edhe reagimin e Komisionit Federal për Çështje të Migracionit (EKA). Në një komunikatë për shtyp që ka lëshuar sot, komisioni në fjalë shpreh shqetësimet e tij lidhur me sinjalet që dërgojnë këto ndryshime.

Ligji mbi të drejtën e shtetësisë (natyralizimit) ndodhet në procesin e revizionimit. Komisioni Federal i Migracionit ka bërë analizimin e ndikimeve të shumta që bëjnë propozimet e Këshillit Federal dhe ato të Parlamentit Nacional. Sipas vlerësimeve të dala, numri i natyralizimeve në vitet e ardhshme do të zvogëlohet për 3500 deri në 5500 persona në vit. Vendimtar është ndryshimi në bazë të të cilit vetëm të huajt me vizë C kanë të drejtë të bëjnë kërkesën për marrjen e shtetësisë, thuhet në komunikatën e EKM-së.

Në kuadrin e studimit që EKM ka bërë në vitin 2012 për natyralizimin me titullin “Natyralizimi në Zvicër” ka bërë përllogaritjen e ndikimeve që do të ketë revizionimi aktual i të drejtës së natyralizimit. Tash janë në dispozicion edhe vlerësimet në lidhje me propozimin e Komisionit për politika shtetërore të Parlamentit të vendit (SPK). Nëse do të lejohen të bëjnë kërkesën për shtetësi vetëm të huajt me leje të përhershme qëndrimi (Vizë C), duhet të llogaritet me një rënie prej 4900 kërkesave në vit. Po kështu, nëse, siç e kërkon revizionimi, vitet në mes 10 dhe nuk do të llogariten më në mënyrë të dyfishtë për kohën e qëndrimit në Zvicër (siç propozon SPK), numri i kandidatëve për natyralizim do të binte edhe për 900 të tjerë. Shkurtimi i qëndrimit nga 12 në 10 ose 8 vjet do të shtonte edhe për 750 deri 1500 kërkesa tjera për natyralizim.  Marrë në tërësi sipas versionit të Këshillit Federal numri i natyralizimeve do të bjerë për 10 për qind, ndërsa sipas SPK-së madje 16 për qind, vlerëson tutje EKM.

EKM është e shqetësuar për faktin se krahas anës sasiore, edhe ndikimi sinjalizues i vendimeve është për tu vënë re. Më së shumti janë të goditur të rinjtë dhe të rinjtë e rritur. Statistika tregon se kuota e natyralizimit te personat në mes 15 dhe 20 vjet është më e larta. Ndërsa në kërkimin e vendeve për zanat, pasja e një pasaporte zvicerane  luan një rol të rëndësishëm. A do t`ua vështirësojë kjo me të vërtetë të rinjve qasjen në natyralizim? A nuk ka shoqëria interes që pikërisht këtë kategori, e cila pjesën më të madhe ose gjithë shkollimin e ka kaluar në Zvicër, ta integrojë sa më shpejt që të jetë e mundur?

Sinjali i dytë u shkon personave me qëndrim të përkohshëm (Viza F). SPK dëshiron që vitet të cilat personat me F i kanë kaluar në Zvicër të mos llogariten si vite të rregullta qëndrimi. Kjo do të bëjë që personat në fjalë vetëm pasi të kenë mbushur 15 deri 20 vjet qëndrimi mund të kërkojnë shtetësinë e Zvicrës. Ata pra, duhet të presin që para kësaj, së pari të marrin vizën C personat me F janë njerëz në nevojë, shumica e të cilëve nuk mund të kthehen në atdheun e tyre dhe jetojnë për shumë vite me status të pasigurt në Zvicër. A duhet që atyre edhe njëherë tu bëhet dyfish më i vështire natyralizimi?

Dhe së fundi, është për t`u vënë në pah sinjali që u drejtohet shtetasve të vendeve të treta. Kjo për faktin se nga ndryshimet e pritshme janë të goditur para së gjithash ata. Me marrëveshjen për lëvizjen e lirë qytetarët e BE-së dhe EFTA-s kanë fituar të drejta të përafërta me ato të shtetasve zviceranë. Qytetarët e vendeve të treta tregojnë interes më të madh për natyralizim në Zvicër. Mirëpo ata janë të hendikepuar për shkak të parakushteve që u kërkohen. Kështu, shtetasit e të gjitha shteteve të Evropës perëndimore dhe veriore (plus SHBA dhe Kanadaja), pas 5 vjet qëndrimi në Zvicër e fitojnë vizën C. Ndërsa shumica e shtetasve të vendeve të treta duhet, sipas rregullit, të presin 10 vjet për vizën C, qoftë edhe në rastet kur, në saje të integrimit të suksesshëm përfitojnë vizën C të lehtësuar. Mirëpo, pa vizën C në të ardhmen nuk do të ketë më mundësi të bëhet kërkesa për shtetësi. A është i arsyeshëm hedikepimi që u bëhet kështu qytetarëve të shteteve jashtë BE-së?

Sipas mendimit të EKM-së, revizionimi i ligjit për natyralizim po dërgon sinjale të gabuara drejt të rinjve, personave në nevojë dhe shtetasve të vendeve të treta që janë të integruar mirë dhe duan të marrin shtetësinë e Zvicrës, thuhet në fund të komunikatës së Komisionit Federal për Çështje të Migracionit.