Tematike
Shqiptarët festojnë dhe bëjnë bilance për 100 vjetorin
Ambasadori Elezi: "Liria punon. Në krah të Shqipërisë së lirë, demokratike, është Kosova e lirë, demokratike"

Një skenë e madhe e një salle koncertesh në Bernë ka qenë hapësira e zgjedhur nga organizatorët, gjegjësisht Ambasada e Shqipërisë, e Kosovës dhe ajo e Maqedonisë, për të festuar 100 vjetorin e pavarësisë së shtetit shqiptar. Një zgjedhje që shkonte mirë me rëndësinë e jubileut. Publiku i shumtë në numër, projektimi në ekran të madh i videomesazheve të personaliteteve të larta nga Shqipëria si dhe i mesazheve e urimeve festive, i jepnin solemnitetin e duhur këtij aktiviteti.
© albinfo.ch
Manifestimi ka filluar, si zakonisht, me himnin kombëtar, të kënduar nga grupi i fëmijëve i shoqërisë “Dardania” të Winterthurit. Ndërsa si surprizë e parë e mbrëmjes ka qenë videomesazhi nga Tirana i kryeministrit shqiptar, Sali Berisha. Paralajmërimi i fjalës së tij është pritur me ovacione nga publiku.
Kryeqeveritari i Shqipërisë ka përgëzuar bashkatdhetarët në Bernë për jubileun e madh, duke vlerësuar lartë rolin e tyre dhe të Zvicrës në historinë e re të shqiptarëve. Ai ka folur me pietet për themeluesit e shtetit shqiptar dhe e ka cilësuar si të vështirë dhe me sfida për shqiptarët periudhën që ata kanë kaluar në këta 100 vjet. Por, ka shtuar Berisha, Shqipëria tash është shtet i konsoliduar. Duke qenë pjesëtare e NATO-s dhe e strukturave të rëndësishme evropiane ajo është faktor stabiliteti në rajon.
© albinfo.ch
Ndërsa ambasadori i Shqipërisë në Zvicër, Mehmet Elezi, në fjalën e tij është fokusuar në të tashmen e Shqipërisë. Duke parafrazuar ish sekretarin amerikan të shtetit Xhejms Bejker nga vizita e tij në vitin 1991 në Tiranë “The Freedom works” (Liria punon), Elezi ka komentuar se “në njëzet vjetët që mbyllin shekullin e Shqipërisë së pavarur, Liria ka punuar si kurrëndonjëherë”.
Më tutje ambasadori shqiptar është ndalur në ndërlidhjen në mes të zhvillimeve në Shqipëri dhe atyre në Kosovë. “Në krah të Shqipërisë së lirë, demokratike, është Kosova e lirë, demokratike”, ka theksuar ai.
Ambasadori nuk ka lënë pa falënderuar me këtë rast edhe shtetin mikpritës, Zvicrën. “Në këto njëzet vjet të Lirisë s’ka fushë të jetës në Shqipëri, ku nuk është ndier ndihma e Zvicrës. Zvicra është i pari vend që kërkoi zyrtarisht pavarësinë e Kosovës në OKB”, ka thënë veç tjerash Elezi në fjalën e tij.
© albinfo.ch
Aktorja e njohur Liri Lushi, e cila ka drejtuar në mënyrë sovrane mbrëmjen festive, ka pasur mjaft punë për të bërë paralajmërimin e oratorëve, këngëtarëve dhe grupeve që ngjiteshin në skenë, po edhe të inserteve filmike që lidheshin me 28 Nëntorin, mesazheve etj.
Krahas ambasadorit të shtetit shqiptar, Mehmet Elezi, të pranishmëve u janë drejtuar edhe ambasadori i Kosovës, Naim Malaj, ai i Maqedonisë, Ramadan Nazifi dhe ish ambasadori i Maqedonisë në selinë e OKB-së në Gjenevë, Aziz Pollozhani. Ndërsa përmes videomesazheve, veç Berishës, edhe kryebashkiaku i Tiranës, Lulzim Basha.
© albinfo.ch
Ambasadori i Kosovës, Naim Malaj, pos për rëndësinë e shënimit të 100 vjetorit të shtetit shqiptar ka folur për ndryshimet pozitive që kanë përjetuar shqiptarët në kohën më të re, që kanë kulmuar me pavarësimin e Kosovës. Ai ka sjellë në vëmendjen e të pranishmëve avancimin e pozitës së shqiptarëve si komb.
Si ilustrim për këtë avancim Malaj ka përmendur sheshin e njohur “Bundesplatz” të Bernës. Fare afër këtij sheshi, vendit ku shqiptarët disa vite më parë protestonin për shtypjen që u bëhej në Kosovë, sot është vendosur selia e Ambasadës së Kosovës dhe para saj valon flamuri i shtetit të Kosovës, ka thënë Malaj, i cili fjalimin e tij emocional e ka përfunduar me sloganin “O sa mirë me qenë shqiptar!”
Ndërsa Lulzim Basha në një videomesazh të transmetuar ka folur për rëndësinë që ka 100 vjetori i pavarësisë për shqiptarët kudo që janë. Ai ka falënderuar shqiptarët e Zvicrës dhe vetë Zvicrën për rolin e madh të luajtur në dekadat e fundit në të mirë të Shqipërisë dhe Kosovës. Basha ka ftuar shqiptarët që të jenë pjesë e manifestimeve të mëdha për nder të 28 Nëntorit të 100-të, që do të mbahen këto ditë në Tiranë.
© albinfo.ch
Oratori i radhës në skenë ka qenë ambasadori i Maqedonisë në Bernë, Ramadan Nazifi. Shqipëria e konosoliduar si shtet, Kosova e pavarur dhe shqiptarët në Maqedoni, Luginë të Preshevës e në Mal të Zi me të drejta të zgjeruara demokratike, të gjitha këto flasin, sipas Nazifit, për një avancim të qartë të çështjes shqiptare. Si dëshmi për këtë ai ka përmendur vetë mundësinë që ka ai, si ambasador i Maqedonisë, për të përshëndetur bashkatdhetarët në një manifestim të tillë.
Edhe ish ambasadori i Maqedonisë në selinë e OKB-së, në Gjenevë, Aziz Pollozhani, i ardhur për këtë rast enkas nga Maqedonia, ka vlerësuar si të të avancuar por me sfida gjendjen aktuale të shqiptarëve kudo që jetojnë.
Të pranishëm në sallë kanë qenë edhe ambasadori i Shqipërisë në OKB, në Gjenevë, Sejdi Qerimaj, përfaqësues të Kuvendit Shqiptar në Zvicër, pastaj të subjekteve të ndryshme politike e jopolitike të shqiptarëve të Zvicrës etj.
Programi artistik, duke pasur parasysh rëndësinë e momentit, kishte pretendime të kalonte nivelin e një aktiviteti të zakonshëm të mërgatës sonë. Për këtë, krahas moderimit nga një emër i njohur si Liri Lushi, ishin ftuar edhe instrumentistë dhe këngëtarë të njohur si Gjon Guralumi (me piano) Alban Lishi me saksofon, këngëtarja Mimoza Selimi violinisti i ri Olsi Hysaj. E ftuar nderi në këtë mbrëmje dhe e pranishme në sallë ishte edhe zonja e madhe e këngës shqiptare, Vaçe Zela.
© albinfo.ch
Ndërsa kanë qenë mjaft mbresëlënëse edhe paraqitjet e shoqërive kulturore artistike që veprojnë në Zvicër si “Vatra”, “Ilirët”, “Dardania” dhe “Ladorishti”. “Dardania” me grupin e fëmijëve ka sjellë në skenë një inskenim koreografik të këngës “Qingji i vogël”, “Vatra” për të satën herë ka mallëngjyer publikun me “Vallen e pavarësisë” , “Ilirët”, pos me valle janë prezantuar edhe me dy duete këngëtarësh ndërsa kaptinë në vete ka qenë “Ladorishti” me këngët polifonike të jugut dhe me valle toske.
Organizatorët kanë falënderuar një listë të gjatë të sponsorëve që kanë mundësuar mbajtjen e kësaj mbrëmjeje festive.
E-Diaspora
-
Aksident tragjik në Gjermani, humb jetën një mërgimtar nga Peja Një aksident fatal ka ndodhur në Gjermani, ku ka humbur jetën N. Lushi nga Peja. Lajmi...
-
Bolonjë: Kapet shqiptari me 1 kg kokainë
-
“Kosova in Berlin – Edicioni i Dytë 2025”
-
Pas një incidenti, 14 vjeçarja shqiptare humb jetën në këtë shtet
-
Nxënësit nga diaspora në shtetin gjerman mbyllin vitin shkollor me një eksursion në Nürnberg
Jeta në Austri
-
Gjermania do të ndjekë shembullin e Austrisë dhe do të deportojë sirianët e dënuar Gjermania do të fillojë deportimin e sirianëve me precedentë kriminalë, tha ministria e brendshme të shtunën,...
-
Banka Qendrore e Austrisë instalon bankomate për të kapërcyer hendekun rural të parave të gatshme
-
Tragjedi në Festival: Vdes një 22-vjeçar pas një incidenti sigurie
-
Universitetet austriake duan rregulla më të rrepta për pranimin e studentëve të huaj
-
Salzburg: Rrëzohet një aeroplan në pyll, shpërthen zjarri