Tematike
Promovimi i ekonomisë kosovare, një mision i (pa)mundshëm
Steiner: "Në Kosovë, prej afër dy vitesh kemi një kthesë drejt zhvillimit ekonomik. Por, njerëzit presin rezultate të shpejta"
Tryeza e rrumbullakët që u organizua javën e kaluar në Lozanë, me temë investimet zvicerane në Kosovë, mund të ishte vetëm njëra nga konferencat e radhës, të mbajtura viteve të fundit në vendet perëndimore, me këtë temë.
Por, ajo rastisi të mbahej vetëm pak ditë pas publikimit të ranglistës së Bankës Botërore, ku Kosovës i atribuohej një përmirësim i ndjeshëm i ambientit për zhvillim të biznesit. Kjo bëri që edhe tryeza, kësaj radhe, të shihej në një dritë tjetër, më optimiste.
Sigurisht, zëvendëskryeministrja Kusari-Lila dhe ministri Beqaj, të pranishëm në tryezë, nuk e lëshuan rastin pa e promovuar këtë ngritje, duke ia faturuar atë institucioneve kosovare, si sukses të pamohueshëm të tyre.
Me një optimizëm të matur rreth një kthese, sipas tij evidente, të ekonomisë kosovare, flet edhe udhëheqësi i Dhomës Ekonomike Zvicër-Evropë e Mesme (SEC), Max Steiner, në cilësinë e organizatorit të tryezës. Ai, edhe pjesëmarrjen e tre ministrave kosovarë në këtë tryezë e konsideron si dëshmi për një vetëdijesim të institucioneve kosovare për promovimin e investimeve.
“Jam i befasuar me nivelin e lartë të përfaqësimit të institucioneve kosovare në këtë tryezë. Tre ministra të interesuar për investimet zvicerane, ndonëse Zvicra paraqet një treg të limituar… Kjo tregon diçka”, shprehet Steiner për albinfo.ch.
Por, i pyetur se përse këto zhvillime që ai i quan suksese të padiskutueshme nuk po sjellin rritjen e investimeve në Kosovë, Steiner ia lë fajin mungesës së durimit të kosovarëve.
“Njerëzve, thjesht, u mungon durimi. Këtu është esenca. Unë mund të ju them se në Kosovë, prej afër dy vitesh ka nisur një kthesë e vërtetë drejt zhvillimit ekonomik. Duhet thënë se kjo korrespondon edhe me kohën prejse është në postin e saj ministrja Kusari-Lila. Prej atëherë proceset po shkojnë drejt përparimit.
E pra janë vetëm dy vjet dhe tash nuk është korrekte të krahasohet brutoprodukti social i Kosovës me atë të Zvicrës, kur dihen dallimet historike në mes të dy vendeve. Unë e di se në Kosovë njerëzit presin rezultate të shpejta, por ajo çfarë mund të ju them unë është se punët janë duke shkuar kah e mbara”.
Për “lajme të mira” nga Kosova kanë folur në tryezë dhe pas saj edhe zëvendëskryeministrja Kusari-Lila dhe ministri Beqaj. Ata i kanë konsideruar të suksesshme zhvillimet më të reja që po ndodhin në ekonominë kosovare, përfshirë këtu edhe shitjen e distribucionit të KEK-ut, që, siç dihet, ka ngjallur kundërshtime të ashpra në Prishtinë.
Ndërsa Valdrin Lluka, shef i Agjencisë për Promovimin e Investimeve në Kosovë (APIK) ka qenë më operacional në paraqitjen e të dhënave.
“Në këtë tryezë ne kemi prezantuar rreth 20 projekte konkrete që presin investitorët e huaj ose ata nga diaspora jonë. Në mesin e risive kësaj here ishte edhe ajo për projektet e reja për energji dhe miniera. Është lajm i ri që minierat për herë të parë po hapen për investitorët privatë”, ka thënë Lluka për albinfo.ch.
Perceptimit për mungesë të rritjes së investimeve në Kosovë ai i përgjigjet: “Në vitet 2008-2009 ka pasur rënie të këtyre investimeve, si pasojë e krizës financiare globale.
Por menjëherë në vitin 2010 është shënuar një ngritje prej 28 % ndërsa në vitin 2011 rritja ka qenë 8 %. Në vitin 2012 presim të kemi prapë rritje”, ka shprehur optimizmin e tij shefi i APIK-ut.
Lluka është ndalur edhe në ofertat që atij i janë paraqitur gjatë kësaj tryeze, nga ndërmarrës zviceranë dhe shqiptarë. Ndër to ka qenë një ofertë nga kompania e madhe Agfa, pastaj një tjetër nga fusha e konstruksioneve metalike etj.
Për fund, përgjegjësi për promovimin e investimeve në Kosovë shprehet optimist se vitin e ardhshëm Kosova do të jetë dukshëm më lartë në ranglistën e radhës për ambientin e investimeve. “Ngritja do të vijë pasi që deri në atë kohë presim rezultatet e reformave të kryera kohëve të fundit, e të cilat nuk janë marrë parasysh gjatë përpilimit të ranglistës së këtij viti”, ka përfunduar Lluka.
E ne na mbetet ta shohim këtë në konferencën ose tryezën e radhës për investime, që mund të zhvillohet sërish në Zvicër.
Të tjera nga Tematike
E-Diaspora
-
Mbi 61 mijë aplikime të aprovuara për votuesit jashtë Kosovës KQZ: Procesi i regjistrimit për votuesit në diasporë vazhdon deri më 17 maj 2026, me mijëra... -
Rrjeti i Bizneseve të Diasporës Shqiptare në Zvicër do të bëjë bashkë odat ekonomike të Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut -
Kur një zviceran ngrihet në mbrojtje të shqiptarëve: Mesazhi i fortë i Ueli Leuenbergerit -
Zvicër
Forbes: Arben Ademi, sipërmarrësi shqiptar nga Zvicra në industrinë e luksit -
Gjenevë
Superkupa Kosovë–Diasporë organizohet për herë të parë në Gjenevë
Jeta në Austri
-
Nis sonte Eurovision 2026 në Vjenë 15 artistë garojnë në gjysmëfinalen e parë, ndërsa festivali zhvillohet nën masa të rrepta sigurie dhe... -
Çka pritet nga Eurovision 2026: Favoritët dhe gjysmëfinalet -
Me 15-16 maj 2026 në Prishtinë do të mbahet edicioni i 10-të i Konferencës Ekonomike i organizuar nga Rrjeti Global i Bizneseve Shqiptare -
Pas sistemit të ri monitorues të targave, rregulla të ashpra për shoferët në Austri -
Linz: Burri dyshohet se vrau gruan dhe vajzën e tij, e më pas veten










