Kosova

Edhe këtë vit pa Karton të Gjelbër

Qytetarët e Kosovës që jetojnë dhe punojnë nëpër vende të ndryshme të botës gjatë vizitës së sivjetme në Kosovë sërish do të duhej ta paguajnë “plaçkën” kufitare

Pavarësisht premtimeve të shumta, edhe sivjet Kosova si duket nuk do të jetë pjesë e Kartonit të Gjelbër. Qytetarët e Kosovës që jetojnë dhe punojnë nëpër vende të ndryshme të botës gjatë vizitës së sivjetme në Kosovë sërish do të duhej ta paguajnë “plaçkën” kufitare, shkruan Gazeta “Zëri”.

Kryesuesit e delegacionit për Karton të Gjelbër ia kanë adresuar një kërkesë Qeverisë për mbulimin e shpenzimeve të mërgimtarëve në kufi, të paktën dy muaj, derisa të sigurohet polica ndërkombëtare për sigurimet kufitare, por ende nuk dihet vendimi i ekzekutivit lidhur me këtë çështje. Njohësit e fushës së sigurimeve tregojnë se pengesë vazhdon të mbetet mospërkrahja e vendeve që nuk e kanë njohur shtetësinë e Kosovës, përcjell albinfo.ch.

Kështu po deklaron kryesuesi i delegacionit për Karton të Gjelbër, Rrahim Pacolli. Në një prononcim për gazetën “Zëri”, Pacolli tregon se gjasat e Kosovës për pajisjen me Karton të Gjelbër janë minimale deri në vitin e ardhshëm. “Nuk ka mundësi këtë vit, për arsye se nuk janë dakord të gjitha shtetet që nuk na kanë njohur si shtet për të na përkrahur për të hyrë në Karton të Gjelbër. Para disa ditësh kam kërkuar nga Qeveria që t’i mbulojë shpenzimet për mërgimtarët, ndoshta vitin tjetër mund të pranohet. Nuk e di a e shqyrton Qeveria këtë kërkesë”, ka thënë Pacolli.

Deklaratat e përditshme për këtë çështje ai thotë se po bëhen për fushatë, për shkak se ky problem është më i ndjeshëm duke pasur parasysh faktin e mosnjohjes së shtetësisë së Kosovës nga Spanja dhe nga Greqia. “Ata që po dalin çdo ditë po flasin për Karton të Gjelbër, ajo më shumë është fushatë. Nuk besoj dhe nuk ka mundësi. Ne duhet të pajtohemi gjithë shtetet se Kartoni i Gjelbër është pak i ndjeshëm, nuk mund të vendosë vetëm shumica, por duhet të pajtohen në këtë rast edhe grekët, edhe spanjollët. Qeveria kishte qenë mirë t’ua mbulojë shpenzimet mërgimtarëve, nëse nuk mund të bëjë më shumë vetëm për këta dy muaj”, ka shtuar tutje ai.

BQK-ja kërkon uljen e numrit të automjeteve të paregjistruara

Mosanëtarësimi i Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara dhe numri i madh i automjeteve të paregjistruara vazhdojnë të mbeten sfidë kryesore për sigurimin e Kartonit të Gjelbër. Banka Qendrore e Kosovës (BQK) tashmë ka filluar angazhimin e saj rigoroz lidhur me këtë çështje. Në takime intensive me zyrtarë kompetentë ata po kërkojnë zvogëlimin e automjeteve të paregjistruara.

Guvernatori Fehmi Mehmeti ditë më parë pati takim me ministrin e Punëve të Brendshme Bejtush Gashin për kërkimin e një alternative që do të çonte në zgjidhjen e këtij problemi.

Në anën tjetër drejtori i Byrosë Kosovare të Sigurimeve, Blerim Pushkolli, thotë se Kosova duhet të pranohet si anëtare e OKB-së. Në një prononcim për gazetën “Zëri” ai thotë se po bëhen përpjekje edhe nga Ministria e Punëve të Brendshme për të zgjidhur problemin me numrin e madh të automjeteve të paregjistruara.

Pushkolli mes të tjerash ka përmendur edhe iniciativat e BQK-së, duke thënë se po punohet në këtë drejtim.

Kërkesa e njohësve të fushës së sigurimeve nuk dihet se a do ta marrë dritën jeshile të Qeverisë, pasi në këtë institucion nuk i janë përgjigjur interesimit të gazetës për shqyrtimin e kësaj kërkese. Në bazë të shifrave zyrtare të publikuara ditë më parë bëhet e ditur se në Kosovë janë rreth 60 mijë automjete të paregjistruara.