Kosova

Shoqëria civile i drejtohet BE-së: Na i hiqni vizat

Në këtë letër ata kanë numëruar edhe arsyet pse qytetarët e Kosovës nuk e meritojnë që edhe më tutje të mbesin populli i vetëm i izoluar në rajon

Pjesëtarë të shoqërisë civile dhe gazetarë të ndryshëm të Kosovës, i kanë shkruar një letër të hapur Komisionit Evropian, Parlamentit Evropian dhe Këshillit të Bashkimit Evropian, përmes së cilës kërkojnë liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Në këtë letër ata kanë numëruar edhe arsyet pse qytetarët e Kosovës nuk e meritojnë që edhe më tutje të mbesin populli i vetëm i izoluar në rajon.

Jehona Lushaku, politologe tha për Radion Evropa e Lirë se qytetarët e Kosovës duhet t’i tregojnë Evropës se janë të vetmit që nuk e gëzojnë të drejtën e lirisë së lëvizjes brenda Zonës së Schengenit.

Sipas saj, shumë pak të rinj të Kosovës kanë pasur fatin të shohin ndonjë shtet evropian, ngaqë edhe vizitat studimore janë projekte vështirë të realizueshme për shkak të regjimit të ashpër të vizave, përcjell albinfo.ch.

Ajo thotë se është optimiste se liberalizimi i vizave për Kosovën do të ndodhë këtë vit.

Kurse, gazetari dhe publicisti Adriatik Kelmendi, që është nënshkrues i kësaj letre dërguar komisionerëve, europarlamentarëve dhe ministrave të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, thotë se Kosova ka përmbushur kriteret dhe nuk duhet të zgjatet më tepër izolimi.

Tutje, Kelmendi thotë se qytetarët e Kosovës, me kërkesën e tyre që t’u hiqen vizat, nuk po kërkojnë diçka që nuk u takon.

Përmes kësaj, letre shoqëria civile e Kosovës ka shprehur shqetësimin se çdo shtyrje eventuale e vendimit të Këshillit Evropian për liberalizimin e vizave do të dëmtojë rëndë ambicien e shoqërisë kosovare për integrim evropian dhe do të përjetohet gjerësisht si diskriminim ndaj qytetarëve të Kosovës edhe në raport me rajonin.

Po ashtu në këtë letër u bëhet thirrje europarlamentarëve dhe ministrave të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, që ta miratojnë vendimin sa më parë për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Gjatë muajit qershor, pritet që BE-ja të japë vlerësimin e parë rreth kritereve të përmbushura. Ndër kriteret kyçe është ai i dëshmive se Kosova po e lufton krimin e organizuar dhe korrupsionin. Nëse organet e BE-së rikonfirmojnë vullnetin e tyre për liberalizim të vizave, më pas u mbetet edhe vendeve anëtare të BE-së që të japin vendimet e tyre.

Pritjen nga institucionet e Kosovës janë që këto procedura në BE të përmbyllen deri në fund të këtij viti apo në pranverën e vitit të ardhshëm.