Skuadra e Luganos në faqen e saj zyrtare ka njoftuar se ka nënshkruar me futbollistin shqiptar, Jetmir Krasniqi, shkruan albinfo.ch.
Mbrojtësi i krahut të djathtë me origjinë nga Kosova, ka lindur më 1 janar 1995, dhe ka luajtur më herët në Lausanne, Le Mont dhe Chiasso, duke zhvilluar 75 ndeshje.
Krasniqi gjithashtu ka tri ndeshje me ekipin e Zvicrës U-20 dhe një me U-21. Sipas njoftimit të skuadrës së Luganos, kontrata është nënshkruar për dy vjet e gjysmë.
I lumtur për aventurën e re është shprehur edhe futbollisti shqiptar në rrjetet sociale. Ai ka falënderuar edhe bashkëlojtarët e deritanishëm, shokët dhe familjen, derisa është shprehur i gatshëm për sfidën me Luganon.