Një ditë pas atentatit me tritol që tronditi qytetin e Shkodrës, Policia e Shtetit konfirmo se kamerat e sigurisë të një biznesi mund të ofrojnë të dhëna të sakta se kush ishte autori që ia vuri një kilogram tritol qytetarit Lulzim Kulla, i cili mbeti i plagosur rëndë bashkë me shtatë qytetarë të lagjes “Partizani” në qytetin verior shqiptar.
Grupi hetimor po heton intensivisht për shpërthimin e së shtunës në Shkodër, një ngjarje e rëndë ku mbetën të plagosur 8 persona, e që kishte për objektiv Lulzim Kullën.
Sipas hetuesve, nga pamjet filmike të sekuestruara nga kamerat e sigurisë janë përfituar të dhëna të vlefshme që mund të çojnë në identifikimin e autorit që vendosi bombën në motorin e parkuar në afërsi të lagjes. Sasia e tritolit që u aktivizua në distancë mund të ketë qenë deri në 1 kg, transemton TCH.
Po ashtu janë sekuestruar telefonat celularë të shënjestrës së sulmit, që ende nuk është marrë në pyetje, për shkak se ndodhet në gjendje të rëndë në spitalin e Traumës.
Burime pranë grupit hetimor konfirmojnë se po merren në konsideratë disa pista.
Lulzim Kulla, shënjestra e këtij atentati me tritol në Shkodër, figuron në skedarët e policisë si një person me precedentë të theksuar kriminalë. I arrestuar për kultivim droge në Dukagjin, Kulla 42 vjeç, njihet edhe si anëtar i një grupi që vendoste gjoba ndaj tregtarëve, apo si i dyshuar për një përfshirje në vrasje.
Ngjarja e rëndë, në kufijtë e një akti terrorist, shkaktoi panik në Shkodër, ndërkohë që ndodhi në ditën kur Policia e Shtetit festonte 105 vjetorin e krijimit.