Kosova

Kosova me plan veprimi për Anëtarësim në Këshillin e Evropës

Shefi i diplomacisë kosovare, Behgjet Pacolli ka thënë se në bazë të dinamikës së punës, në një afat shumë të shpejt Kosova do të dorëzojë edhe zyrtarisht aplikimin e Kosovës për Këshillin e Evropës

Qeveria e Kosovës ka formuar një grup Grupi Punues prej 11 anëtarëve për të përgatitur planin e veprimit për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Kështu ka deklaruar në mbledhjen e sotme të qeverisë së Kosovës, zëvendëskryeministri dhe njëherësh ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, i cili njëkohësisht tha se po bëhen përpjekje për anëtarësimin e Kosovës edhe në Interpol.

“Në dhjetor kam krijuar një Grup Punues prej 11 anëtarësh, ku janë përfshirë pos njerëzve të MPJ edhe ekspert dhe pjesëtarë të shoqërisë civile, të cilët janë duke punuar intensivit për këtë. Ky Grup Punues është i autorizuar që të përgatisë një plan të veprimit për masat që duhet të ndërmerren nga të gjithë akterët relevantë shtetërorë përkitazi me procesin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës”, ka thënë Pacolli.

Ai ka thënë se në bazë të dinamikës së punës, në një afat shumë të shpejt Kosova do të dorëzojë edhe zyrtarisht aplikimin për të qenë pjesë e këtij mekanizmi ndërkombëtar.

Mirëpo, Pacolli ka thënë se për të pasur sukses në këtë rrugëtim, kërkohet edhe bashkërendim të detyrimeve për të respektuar liritë e të drejtave të njeriut, në këtë rast qytetarëve të Kosovës, transmeton KP.

Kryeministri Ramush Haradinaj ka vlerësuar lart këtë proces për Këshillin e Evropës dhe për Interpol, për të cilin ka thënë se kërkon shumë angazhim. Ai po ashtu ka paralajmëruar edhe mbajtjen e një mbledhje të Qeverisë së përbashkët me Maqedoninë diku në shkurt.