Kosova

DASH bën thirrje “Mos e zhbëni Specialen”

"Ne fuqishëm kërkojmë nga liderët aktualë politikë të Kosovës dhe anëtarët e Kuvendit që të mos e zhbëjnë këtë të arritur duke ndërhyrë në gjykatë tash ose në të ardhmen”, thuhet në deklaratën e DASH-it

Departamenti Amerikan i Shtetit ka dalë me një deklaratë shumë të qartë për rrezikun që mund ta ketë Kosova nëse votohet për zhbërjen e Gjykatës Speciale, transmeton albinfo.ch. Në deklaratë theksohet se Shtetet e Bashkuara janë thellësisht të shqetësuara nga kjo përpjekje.

“Siç ka thënë sekretari Tillerson, më 21 dhjetor, kërkimi i drejtësisë në Ballkan nuk ka përfunduar dhe ne mbesim të përkushtuar për mbështetjen e drejtësisë për viktimat. Ne e përshëndesim guximin moral të liderëve politikë të Kosovës, të cilët e kanë miratuar legjislacionin dhe amandamentin kushtetues në vitin 2015, me të cilin u mundësua formimi i kësaj gjykate. Ne fuqishëm kërkojmë nga liderët aktualë politikë të Kosovës dhe anëtarët e Kuvendit që të mos e zhbëjnë këtë të arritur duke ndërhyrë në gjykatë tash ose në të ardhmen”, thuhet në deklaratën e DASH-it.

Një ditë më para ambasada e SHBA-së në Prishtinë ka kundërshtuar deklaratën e fundit të Presidentit Thaçi lidhur me qëndrimet e tij për këtë çështje.