Kosova

Këshilli i Përgjithshëm i VV-së vendos: Zgjedhjet për kryetar mbahen në  shkurt 

Në mbledhje nuk ka marrë pjesë kryetari aktual, Visar Ymeri  e as ish-sekretari Dardan Molliqaj. Ymeri ka thënë se nuk është dashur që mbledhja të ftohet në këtë formë

Këshilli i Përgjithshëm i Lëvizjes Vetëvendosje ka shpallur zgjedhjet e reja për kryetarin e saj. Vendimi është marrë pa asnjë votë kundër.
Kryesuesi i Këshillit të Përgjithshëm, Hydajet Hyseni ka konfirmuar se 133 delegatë kanë votuar që të shpallen zgjedhjet për kryetar të partisë. “Kjo ka qenë obligim edhe me statutin e partisë sepse Ymerit i përfundon mandait në muajin shkurt”, ka thënë Hyseni.
Ushtruesi i detyrës së sekretarit të VV-së, Ismajl Kurteshi ka konfirmuar se zgjedhjet për kreun e partisë mbahen në fund të shkurtit 2018. Ata kanë thënë se mbledhja është karakterizuar me frymë demokratike.
Në të nuk ka marrë pjesë kryetari aktual, Visar Ymeri  e as ish-sekretari Dardan Molliqaj. Ymeri ka thënë se nuk është dashur që mbledhja të ftohet në këtë formë. Në mungesë të kryetarit, në këtë mbledhje ka folur Fatmire Kollçaku, e cila ka kërkuar bashkim, siç ka thënë jo rreth një personi, por vlerave demokratike të VV-së.
Në mbledhje, merret vesh se është diskutuar edhe për koalicionet e VV-së në komunat që kanë fituar dhe këtu është kritikuar koalicioni i Shpend Ahmetit me AAK-në, duke thënë se nuk është konsultuar me organet partiake.