Kosova

Qindra kosovarë investojnë në Bitcoin, BQK paralajmëron për rrezik

Banka Qendrore e Kosovës përmes një komunikate ka paralajmëruar qytetarët e Kosovës se përdorimi i monedhave virtuale Bitcion përbën një rrezik që mund të rezultojë me humbje financiare

Monedhat elektronike Bitcoin e cila ka pushtuar një pjesë të madhe të botës, ka filluar të lëshojnë rrënjë edhe në Kosovë. Shumë kompani kanë investuar tashmë në këtë monedhë digjitale me të cilën transaksionet mund të kryhen pa nevojën e një banke qendrore.

Drejtori i kompanisë “Kriptomat”, Valmir Hazeri, ka treguar për KosovaPress se vetëm në kompaninë e tij janë diku nga 500 deri në 1 mijë persona që kanë investuar para në bitcoin, ndërsa janë më shumë se 5 persona që janë bërë milioner.

“Është tejet e lartë, momentalisht ne Kriptomat nuk po mundemi me i përballu të gjitha kërkesave, janë disa të tjera që punojnë në Kosovë. Nuk e di ata si janë duke e menaxhuar ose a po munden ta menaxhojnë, por kërkesa është tejet e lartë dhe ka shumë persona që janë të involvuar qysh herët në bitcoin. Mund të them prej 500 deri në 1 mijë njerëz që unë kam dëgjuar, po ashtu ka edhe shumë të tjerë që unë nuk kam pasur qasje me ta”, tha ai.

Sipas tij, mund të janë diku rreth 5 deri në 10 bittcoin milionerë që quhen, që kanë investuar paraprakisht qindra euro dhe tash kanë miliona euro.

Duke qenë se bitcoin vepron pa një bankë qendrore, Banka Qendrore e Kosovës përmes një komunikate ka paralajmëruar qytetarët e Kosovës se përdorimi i monedhave virtuale përbën një rrezik që mund të rezultojë me humbje financiare.

“Përdorimi i parave virtuale, siç është për shembull Bitcoin, nuk është i rregulluar ligjërisht dhe përbën një rrezik që mund të rezultojë me humbje financiare. Të gjithë përdoruesit e mundshëm të parasë virtuale njoftohen se në Republikën e Kosovës nuk ka asnjë institucion që garanton rimbursimin e parave të humbura”, thuhet në njoftimin e BQK-së.

Por që këtë qëndrim të BQK-së nuk e mbështet drejtori i kompanisë “Kriptomat”, Valmir Hazeri, i cili thotë se është një platformë shumë e sigurt.

“Kjo është tejet e sigurt deri tash e ka vërtetuar, vetën mund të them gati tetë vjet janë bërë, nuk ka mundur të hiqet direkt bitcoini edhe janë hequr plotë platforma të cilat kanë punuar me bitcoin, mirëpo bitcoini direkt nuk ka mundur të hiqet”, ka thënë ai.

Për më tepër ai thotë se në të ardhmen bitcoini do të përdoret në të gjitha shtetet, pasi që deri tani nga shumë shtete është pranuar si para e huaj.

Ndryshe, përveç kompanisë “kriptomat” që pajisjet e saja i ka tek ICK në Prishtinë, edhe shumë kompani të tjera janë që kanë investuar në pajisje për prodhim të bitcoinit.