Kosova
Deputetët kundër Demarkacionit, por për vete kanë pasaportë shqiptare
Një numër i madh i udhëheqësve shtetëror, i deputetëve, por edhe i njerëzve me funksione të larta, nuk e kanë të nevojshme pritjen në radhë për viza, sepse kanë siguruar shtetësinë e Shqipërisë
Pamundësia që Kuvendi i Kosovës ta ratifikojë Marrëveshjen për demarkacionin ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, po i mban edhe më tej qytetarët e Kosovës të izoluar. Qëndrimi zyrtar i Bashkimit Evropian është që Kosova nuk mund ta marrë liberalizimin e vizave derisa ta ratifikojë Marrëveshjen për demarkacion dhe derisa nuk arrin rezultate të prekshme në luftë kundër korrupsionit, raporton “Radio Evropa e Lirë”.
Kjo çështje është duke vazhduar që më shumë se dy vjet, derisa partitë politike kanë qëndrime të ndryshme, përcjell albinfo.ch.
Derisa çështja e Demarkacionit të mos zgjidhet, qytetarët e Kosovës do të presin edhe më tej, me muaj të tërë, për takimet e caktuara në ambasadat evropiane në Prishtinë, e më pas, në diell e në borë, në radhë, për t’i dorëzuar dokumentet për viza. Në “dokumente”, përveç atyre personale, përfshihen edhe dëshmitë për posedimin e mjeteve të mjaftueshme financiare, dëshmia që në Kosovë janë në marrëdhënie të sigurt të punës dhe të ngjashme.
Megjithatë, një numër i madh i udhëheqësve shtetëror, i deputetëve, por edhe i njerëzve me funksione të larta, nuk e kanë të nevojshme pritjen në radhë për viza, sepse kanë siguruar shtetësinë e Shqipërisë dhe pasaportat, për të cilat nuk vlen regjimi i vizave me Bashkimin Evropian. Në mesin e tyre janë edhe ata që po e kundërshtojnë ratifikimin e Marrëveshjes për demarkacion.
Përmes dekretit të Presidentit të Shqipërisë, shtetësia u është ofruar një numri të madh të politikanëve nga Kosova.
Në muajin prill të këtij viti, shtetësinë e Shqipërisë e kanë marrë edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj dhe bashkëshortja e tij, Anita, e më pas edhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj.
Më herët, shtetësinë e Shqipërisë e kanë marrë edhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, anëtarët e udhëheqjes dhe deputetët e kësaj partie: Albin Kurti, Dardan Molliqaj, Aida Dërguti, Glauk Konjufca, Liburn Aliu, si dhe kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti. Gjithashtu, shtetësinë e Shqipërisë, më herët, e ka marrë edhe deputeti i këtij subjekti politik nga legjislatura e kaluar, Hydajet Hyseni. Deputetë të caktuar të këtij subjekti politik kanë pasaporta të vendeve të ndryshme evropiane.
Në qershor të këtij viti, shtetësinë e Shqipërisë e kanë marrë nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hajredin Kuçi dhe bashkëshortja e tij, Fatmirja.
Shtetësinë e Shqipërisë e ka edhe deputetja e grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe ish-kryetarja e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari – Lila, deputeti i kësaj partie Arben Gashi dhe ish-deputeti dhe anëtari i LDK-së, Sabri Hamiti.
Shtetësinë e Shqipërisë e ka marrë edhe vëllai i zëvendëskryeministrit Behgjet Pacolli, Selim Pacolli, i cili në zgjedhjet lokale ishte kandidat për kryetar të Komunës së Prishtinës. Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Gazmend Abrashi, gjithashtu ka shtetësinë e Shqipërisë. Kohë më parë, shtetësinë e Shqipërisë e ka marrë edhe ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Sylë Ukshini.
Sikurse politikanët, shtetësinë e Shqipërisë e kanë siguruar edhe personalitetet tjera që bartin funksione të larta. Në mesin e tyre janë: kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni, shefi i Njësisë për luftë kundër kriminalitetit ekonomik, Nazim Sahiti, drejtori ekzekutiv i Telekomit të Kosovës, Agron Mustafa, drejtori i Agjencisë Kosovare për Privatizim, Ekrem Hajdari, si dhe mjaft të tjerë.
Tash së voni, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka kërkuar nga homologu i tij nga Shqipëria, Ilir Meta, që t’iu mundësohet qytetarëve të Kosovës, që përmes procedurave të përshpejtuara të aplikojnë për shtetësi të Shqipërisë, duke pasur parasysh që heqja e regjimit të vizave për Kosovën është e pasigurt.
Meta i ishte përgjigjur se “nuk është zgjidhje që të merret shtetësia e Shqipërisë”, por që Kosova të tejkalojë problemin e izolimit.
Rregullat aktuale të Shqipërisë janë të tilla që në rast se shtetasi i Kosovës dëshiron të marrë shtetësinë e Shqipërisë, duhet që kërkesën t’ia drejtojë Presidentit të Republikës së Shqipërisë, me shpjegimin se për çfarë arsye e kërkon shtetësinë. Bashkë me këtë, duhet që të dorëzojë edhe certifikatën nga libra amzë e të lindurve, lejen për qëndrimin në Shqipëri dhe dëshminë se ka jetuar në një adresë në Shqipëri të paktën për tri vjet.
Sipas nevojës, kërkohet edhe vërtetimi për dëshmimin e prejardhjes shqiptare. Shtetësia e Shqipërisë merret me dekretin e Presidentit të atij vendi. Është e sigurt që gjasat janë të vogla që politikanët e Kosovës, të cilët kanë marrë shtetësinë e Shqipërisë, të kenë jetuar në një adresë shqiptare, të paktën për tri vjet.
E-Diaspora
-
Kryediplomati shqiptar, Igli Hasani, takon homologun e tij nga Zvicra, Ignazio Cassis Takim i shkëlqyer me homologun zviceran, Ignazio Cassis, e ka cilësuar ministri i Jashtëm i Shqipërisë,...
-
Gjon’s Tears në intervistë për median zvicerane, flet për Kosovën
-
Bizneset nga diaspora vizitojnë “Shtëpinë e Kosovës”
-
Shqiptari diplomon në Columbia University në Nju Jork
-
Bernë: Promovohet libri “Gazmend Zajmi – Një jetë për Kosovën” me autor Nuhi Bytyçi
Jeta në Austri
-
Planifikonte sulm në Graz të Austrisë, arrestohet 14-vjeçarja me origjinë nga Mali i Zi Policia austriake raportohet të ketë arrestuar një 14-vjeçare me origjinë nga Mali i Zi nën dyshimet...
-
A duhet të kryejnë shërbimin e detyrueshëm ushtarak të Austrisë personat me shtetësi të dyfishtë?
-
Rreth 350 biznese nga diaspora dhe Kosova u mblodhen në Prishtinë
-
Si po e ndryshon motin në Austri ngrohja globale?
-
Lajmet më të fundit të së enjtes në Austri