Lajme

“Samiti i Diasporës” unifikoi mërgatën shqiptare   

Pas këtij samiti, që mblodhi rreth 1 mijë përfaqësues nga të 40 shtetet te botës, Qeveria shqiptare merr obligim për regjistrimin dhe unifikimin e diasporës si trung i pandashëm i atdheut

Autoritetet në Shqipëri e kanë vlerësuar të suksesshëm Samitin e parë të Diasporës  Shqiptare që u mbajt në fundjavën e kaluar në Tiranë, në të cilën morën pjesë rreth 1 mijë pjesëmarrës nga diaspora e vjetër dhe e re shqiptare, nga të katër anët e botës. Pas këtij samiti, qeveria shqiptare merr obligim për regjistrimin dhe unifikimin e diasporës si trung i pandashëm i atdheut.

Samiti i Diasporës shqiptare u mbajt në Tiranë nga data 18-20 nëntor 2016, nën patronazhin e Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, Edi Rama dhe në bashkëpunim edhe me pjesëmarrjen e aktorëve të rëndësishëm të jetës politike, institucionale dhe shoqërore nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Lugina e Preshevës.

Samiti i Parë i Diasporës Shqiptare, nën moton “TË PANDARË PËR SHQIPËRINË”. Në këtë samit u ndanë edhe çmimet “shqiponjat e arta” për njerëzit dhe institucionet më e ndikim në diasporë. Në mesin e tyre u shpërblye edhe platforma informative Albinfo.Ch, e cila e jep të plotë Deklaratën e autoriteteve shqiptare për samitin”

Deklarata e Samitit 

Samiti mblodhi për herë të parë, pa dallime politike, gjeografike, prejardhje, gjenerate, rreth 1000 përfaqësues të shoqatave të ndryshme shqiptare, personalitete të shquar, por edhe anëtarë të thjeshtë, bashkëkombës nga 40 vende, prej të gjithë kontinenteve, me synimin për të krijuar një urë bashkëpunimi, komunikimi e ndërveprimi, në të mirë të ruajtjes dhe forcimit të lidhjeve mes Diasporës dhe Atdheut, si edhe mes komuniteteve të veçantë, në vende e kontinente të ndryshëm.

Samiti vlerësoi lart kontributin e paçmueshëm që Diaspora shqiptare ka dhënë ndër vite, si për mbrojtjen e të drejtave individuale e shoqërore, ruajtjen e gjuhës dhe identitetit, mbrojtjen dhe avancimin e interesave mbarëkombëtarë, ashtu edhe për zhvillimin ekonomik e shoqëror në Atdhe.

Në mënyrë të veçantë, Samiti evidentoi rolin kyç që komuniteti shqiptar në Shtetet e Bashkuara, por edhe në Evropë e gjetkë, ka dhënë për çështjen kombëtare në tërësi, si dhe për krijimin e shtetit të Kosovës, në veçanti.

Në pajtim me realitetet e reja në Shqipëri, Kosovë dhe në të gjitha hapësirat e tjera ku jetojnë shqiptarë, me dëshirën për të filluar një marrëdhënie të re dhe ndërvepruese, për të ndërtuar një partneritet të qëndrueshëm, përmes zhvillimit të një dialogu të  vazhdueshëm e të strukturuar dhe një bashkëpunimi efikas të Atdheut me Diasporën; Me bindjen se gjuha, kultura dhe identiteti janë pjesë e rëndësishme e zhvillimit individual e shoqëror dhe, duke vlerësuar nevojën për të ruajtur, kultivuar dhe zhvilluar trashëgiminë e përbashkët, si mënyra më e mirë për të përfaqësuar dhe mbrojtur  të drejtat e komunitetit dhe interesat kombëtarë, Samiti vlerësoi lart iniciativën e qeverisë shqiptare për një përqasje të re në marrëdhëniet me Diasporën dhe konkludoi në nevojën që Qeveria dhe Diaspora, të angazhohen, të bëjnë përpjekje të përbashkëta, në këto drejtime:

1.Zhvillimi institucional Qeveria angazhohet të zhvillojë dhe fuqizojë, përmes masash konkrete, kapacitetet institucionale brenda vendit, për të përfshirë më shumë dhe konkretisht Diasporën në zhvillimet ekonomiko-shoqërorë në Atdhe. Për të realizuar këtë, Qeveria dhe Diaspora angazhohen të krijojnë Këshillin e Diasporës Shqiptare. Këshilli do të jetë një strukturë qendrore bashkë përfaqësuese, i cili do të udhëheqë bashkëpunimin në të gjitha aspektet me Diasporën, veprimtarinë për vënien në jetë të angazhimeve të marra në këtë Samit, si dhe organizimin e aktiviteteve madhore në të ardhmen.

Modalitetet  e  krijimit  dhe  funksionimit  të  Këshillit, do të përcaktohen bashkarisht. Qeveria angazhohet të ndërmarrë nismat ligjore dhe mbi atë bazë, të krijojë kushtet për të siguruar sa më parë të drejtën e votës së qytetarëve shqiptarë në Diasporë.

2.Diaspora dhe kapitali njerëzor Qeveria angazhohet të bëjë regjistrimin e shqiptarëve në Diasporë, proces i cili do të ndihmojë në krijimin e Atlasit të Diasporës Shqiptare në botë. Qeveria angazhohet që, në bashkëpunim të ngushtë me Diasporën, të krijojë dhe mbajë të përditësuar Bazën e të Dhënave të Aftësive të komuniteteve shqiptarë në botë, për nxitjen e shkëmbimeve profesionale, akademike, arsimore, si edhe rrjetëzimin e Diasporës. Qeveria do të  konsiderojë, në mënyrë aktive dhe në përputhje me legjislacionin përkatës, përfshirjen e talenteve më të mirë nga Diaspora në administratën publike.

3. Diaspora dhe zhvillimi ekonomik Qeveria angazhohet të ndihmojë dhe të krijojë të  gjitha lehtësitë e mundshme, në rrugë ligjore, për përfshirjen e Diasporës në sistemin ekonomik dhe aktivitetin e biznesit të Republikës së Shqipërisë, përfshirë zbatimin e politikave stimuluese të nxitjes dhe tërheqjes së investimeve nga Diaspora.

Të dyja palët do të punojnë së bashku, për të përmirësuar bazën ligjore, për të krijuar dhe nxitur praktikat më të mira të bashkëpunimit ekonomik, përfshirë eksperiencat pozitive nga bota. Forcimi i rrjetëzimit të biznesit në Diasporë, do të krijojë kushte më të favorshme për një bashkëpunim të suksesshëm dhe më rezultativ.

4. Mbështetja për diasporën Qeveria do të vazhdojë t’i kushtojë një vëmendje të veçantë e të shtuar, mësimit të gjuhës shqipe në Diasporë. Qeveria angazhohet të bashkëpunojë ngushtë dhe të ndihmojë komunitetet shqiptare për mësimin e gjuhës, si dhe ruajtjen dhe zhvillimin e kulturës shqiptare, përmes platformave bashkëpunuese për shkëmbimin e njohurive.

Diaspora angazhohet të bëjë çdo përpjekje për të hapur, atje ku ka nevojë dhe ku është e mundur, klasa ose/dhe shkolla në gjuhën shqipe, duke shfrytëzuar mjetet e ndihmën publike në vendet ku jetojnë, partneritetin publik e privat, mjetet dhe burimet e komunitetit.

Diaspora angazhohet të shfrytëzojë të gjitha mundësitë, burimet e mjetet, për të forcuar shpalosjen e vlerave tona kulturore, nëpërmjet aktiviteteve të ndryshëm, periodikë dhe të bashkërenduar, në mënyrë të veçantë në bashkëpunim me përfaqësitë diplomatike, për të mbështetur dhe plotësuar përpjekjet e Qeverisë, në të mirë të mbrojtjes dhe ruajtjes së kulturës e trashëgimisë kulturore shqiptare.

Qeveria angazhohet të koordinojë aktivitetet e diplomacisë kulturore me diasporën dhe përfaqësuesit e saj kulturorë, për të krijuar një rrjet bashkëpunimi kulturor, por edhe për të fuqizuar potencialet kulturorë, në një skenë të hapur dhe pa kufi.

Qeveria angazhohet të punojë, së bashku me Diasporën, për të krijuar një Kalendar të njësuar të aktiviteteve të Diasporës edhe si një mjet i forcimit të marrëdhënieve dhe bashkëveprimit meskomponentëve të ndryshëm në Diasporë.

Qeveria do të vijojë të përmirësojë cilësinë e shërbimit publik që ofron jashtë vendit për mes përfaqësive diplomatike, në përputhje me praktikat më të mira evropiane. Një paketë e posaçme programesh ka krijuar tashmë një platformë digjitale të plotë të shërbimeve konsullore duke transformuar qasjen në trajtimin e publikut.

Synimi është modernizimi e automatizimi i praktikës konsullore, rritja e sigurisë dhe transparencës, shkurtimi drastik i kohës së pritjes dhe i shpenzimeve për shërbimet, dhënia e  informacionit në kohë reale si dhe dhënia menjëherë e asistencës për personat në  nevojë duke i sjellë kështu zyrat konsullore sa më afër qytetarit.

Qeveria do të vijojë të punojë për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në Diasporë    dhe të nxisë, përmes instrumentave të bashkëveprimit ndërshtetëror, ushtrimin sa më  të plotë të këtyre të drejtave, përfshirë njohjen e kontributeve dhe sigurimeve shoqërore.

Mekanizmi ndërveprues

Faqja internet e Samitit (www.samitidiaspores.al) do të shndërrohet në një platformë ndërveprimi operacional dhe interaktiv me qëllim tematizimin e tij. Procesi do të   administrohet nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Kryeministria dhe do të përfshijë  gradualisht të gjitha institucionet për të mundësuar një bashkërendim horizontal dhe gjithëpërfshirës.