Integrimi
Ecje dhe ngecje në organizimin e shqiptarëve të Zvicrës
Diaspora shqiptare në Zvicër ka pas vetes tashmë një bagazh të pasur organizimesh të niveleve e tipave të ndryshëm dhe të shumtë në numër. Por cila është cilësia e këtij organizimi dhe sa shkon ai në hap me kohën?
“Diaspora shqiptare në Zvicër është e organizuar mirë”; “Diaspora shqiptare e Zvicrës është fare e paorganizuar”… Perceptime të këtij lloji, që shkojnë nga njëri ekstrem në ekstremin tjetër, janë të pranishme si për çdo gjë tjetër, edhe për diasporën. Prandaj nuk është se duhet të pranohet njëri apo të hidhet poshtë perceptimi tjetër. Por ajo me të cilën ka një pajtim, sidomos shikuar nga perspektiva e vendeve të prejardhjes dhe ajo e “diasporave” tjera shqiptare, është se komuniteti shqiptar në Zvicër është disi më vital se ai në vendet tjera. Kjo gjë sigurisht vjen si rezultat i kompaktësisë së këtij komuniteti, duke qenë aq i madh në një vend aq të vogël. Por jo vetëm nga kjo.
Diaspora shqiptare në Zvicër ka pas vetes tashmë një bagazh të pasur organizimesh të niveleve e tipeve të ndryshme dhe të shumta në numër. Duke filluar nga shoqëritë folklorike, klubet e futbollit, nëpër bashkësitë fetare dhe partitë politike e deri te rrjetet që ngrihen sipas fushave të profesioneve ose veprimtarive.
- Partitë, si pararendëse të organizimit të diasporës
Pararendëse të formave të sotme të organizimit janë organizimet politike, gjegjësisht Lëvizja Popullore e Kosovës, e themeluar në fillim të viteve `80. Ndërsa në vitin 1990, si rezultat i legalizimit të pluralizmit partiak në ish Jugosllavi, mërgatës shqiptare të Zvicrës iu shtua organizimi i ri, më masiv politik, Lidhja Demokratike e Kosovës, gjegjësisht dega e saj në Zvicër. Paralelisht me LDK-në këtu u themeluan edhe degë të partive tjera, si ajo e PPD-së e shqiptarëve të Maqedonisë dhe ndonjë tjetër.
Menjëherë pas themelimit të LDK-së dhe konstituimit të “Qeverisë në ekzil”, si kudo në diasporën shqiptare, edhe në Zvicër u ngrit fondi i “3 përqindëshit”. Ai u sfidua vetëm me themelimin, pak para luftës, të fondit “Vendlindja thërret”. Pavarësisht nga rivalitetet mes tyre, mbetet e pakontestueshme se ato mbajtën gjallë jetën, respektivisht rezistencën në Kosovën e viteve `90.
Skena partiake në komunitetin shqiptar të Zvicrës, një “lulëzim” e pati edhe në vitet e pasluftës. Ajo skenë ishte pasqyrë e saktë e gjendjes në Kosovë. Vetëm rivalitetet e mëparshme LDK – LPK – UÇK u zëvendësuan me atë LDK-PDK dhe pjesërisht AAK. Pas një “fashitjeje” të shkurtë, LDK dhe AAK vazhdojnë që herë pas here të japin shenja jete. Ndërsa 4-5 vitet e fundit bie në sy aktiviteti i lëvizjes “Vetëvendosje”. Ajo, sa i përket emërtimit ndryshon nga subjektet tjera politike: në vend të degës, VV këtu ka hapur “pikat” e organizimit të saj.
- Shoqatat humanitare, ato arsimore etj.
Në fillimet e viteve `90 të shekullit të kaluar u krijua Shoqata Humanitare “Nënë Tereza” me seli në Lucern, e cila ka ndihmuar me të madhe jetën në Kosovë ndërsa pas luftës ajo ka vazhduar të angazhohet edhe në vatrat e krizës dhe varfërisë në vende të ndryshme të botës.
Një organizim specifik ka qenë pastaj Universiteti “Popullor Shqiptar” i themeluar në vitin 1996 në Gjenevë, me meritën e mikut të shquar të komunitetit shqiptar, politikanit të njohur zviceran, Ueli Leuenberger. Ky institucion gjatë këtyre 20 viteve të ekzistimit ka bërë shumë jo vetëm në sensibilizimin e shoqërisë zvicerane me problemin e Kosovës por edhe në arsimimin profesional të të rinjve shqiptarë. Një profil të përafërt me UPSH-në por pa u kufizuar vetëm me shqiptarët, e ka edhe ABSM në Bazel.
Lidhja e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë (LAPSH) “Naim Frashëri” është një organizatë me një përfshirje më të gjerë në nivel të gjithë Zvicrës, e cila që në vitin 1990 është themeluar që të plotësojë boshllëkun në arsimimin e brezave të rinj në gjuhën amtare. LAPSH gjatë 25 viteve të ekzistimit ka pasur ngritjet dhe rëniet e veta dhe, mjerisht, gjatë gjithë kohës së pas luftës njeh pothuajse vetëm rënie.
I gjithë ky konglomerat organizimesh, i bërë ad hoc, dhe që kryesisht i korrespondonte gjendjes në atdhe, ka pasur dobinë e vet për kohën. Por po ashtu për shkak të shkapërderdhjes së forcës në shumë qendra që zhvillonin të njëjtin aktivitet, ai ka marrë shpesh më shumë energji se sa duhej.
- Organizimi i ri, në baza profesionesh dhe Kuvendi Shqiptar i Zvicrës
Për ndryshim nga organizimet e përmendura, këto vitet e fundit jemi dëshmitarë të një tipi tjetër organizimi. Pak me nxitjen e institucioneve nga Kosova dhe pak të atyre nga vendi mikpritës, rreth vitit 2010 në Zvicër filloi tendenca e themelimit të rrjeteve ose unioneve shqiptare, sipas fushave profesionale. Kështu, në mes viteve 2010-2013 u themeluan ose u iniciuan: asociacioni i bizneseve shqiptare, ai i inxhinierëve, i mjekëve, i juristëve, i studentëve dhe të rinjve, i bankierëve etj. Ndërsa i po kësaj kohe, maj 2011 ishte themelimi i organizatës me pretendime më të mëdha, ose unifikuese, Kuvendi Shqiptar i Zvicrës. Ideja për këtë të fundit ka rrjedhur nga institucionet zvicerane, pasi që ato kanë parë nevojën që komuniteti shqiptar të ketë një adresë që i përfaqëson. Ky subjekt parashihej si një strukturë komplekse. Ai duhej të ishte në përputhje, nga njëra anë me nevojat e diasporës shqiptare që tashmë kishte evoluuar dhe shkonte drejt integrimit e nga ana tjetër me kërkesat e institucioneve zvicerane po dhe me ato të vendeve të prejardhjes. Këto detyra në të njëjtën kohë ishin tepër të vështira për t`u realizuar dhe ishte guxim i madh të merreshin përsipër nga një grup që do të merrej vullnetarisht me to, krahas punëve të përditshme. Kështu, KSHZ me kohë u përshtat me “linjën e rezistencës së ulët” duke u kufizuar në pjesëmarrje në konferenca, lëshimin e herëpashershëm të komunikatave apo inicimin e ndonjë peticioni dhe me reagimet lidhur me zhvillimet politike në atdhe ose në Zvicër. Por, nga projektimi që i ishte bërë me rastin e themelimit, e deri te realizimi, duket se duhet pritur gjatë.
Një histori më vete është edhe themelimi i unionit të studentëve Shqiptarë të Zvicrës. I filluar që në vitet 2008-2009 me disa kuvende themeluese dhe pastaj i heshtur për disa vite, ai u rithemelua si “kongres” i studentëve shqiptarë në tetor të vitit 2018. Ndërkohë janë një numër shoqatash të studentëve shqiptarë të disa universiteteve zvicerane që kanë një funksionim të mirë.
- Institutet
Ngjashëm po ndodh edhe me asociacionet ose rrjetet tjera të krijuara gjatë pesë viteve të fundit. Më shpesh dëgjohet për Rrjetin e bizneseve ndërkohë që për rrjetin e inxhinierëve, atë të mjekëve ose të juristëve kemi dëgjuar vetëm kur janë krijuar ose kur janë iniciuar.
Krahas shoqatave dhe rrjeteve të përmendura, vazhdojnë të veprojnë edhe instituti Shqiptar (Albanischs Institut) në St. Gallen i themeluar më herët dhe Instituti Iseal (Instituti Zviceran i Studimeve Shqiptare) në Lozanë, i themeluar në vitin 2010. Të dy institutet kanë zhvilluar një veprimtari të pasur kryesisht në fushë të botimeve por edhe të organizimit të konferencave dhe aktiviteteve tjera.
- Qendra Kulturore, grupet muzikore, ato teatrore etj
Ndërsa veçanërisht të shumta në numër janë shoqëritë folklorike, grupet e valleve, ose sido që të quhen ndryshe, grupet muzikore shqiptare. Një numër prej tyre kanë prapa vetes një traditë të çmuar dhe tashmë kanë hyrë në dekadën e tretë të veprimit. Të tilla janë në radhë të parë Shkolla Shqiptare e Vallëzimit “Shota”, Ansambli “Vatra”, SH.K.A. “Dardania” dhe pastaj vijnë “Ilirët”, “Teuta”, “Arbëresha” “Gëzuar”, për të përmendur vetëm disa që janë më aktive. Janë aktive edhe disa grupe që përpiqen për të ngjallur jetën teatrore në meset ku frekuentojnë, por aktiviteti i tyre është në nivel më shumë simbolik. Në këtë drejtim dallohen Grupi “Aktrimi” në Cyrih dhhe ai “Kurora” në Lozanë.
Ndërkohë, po bëhen rreth tre vjet që në Zvicër, gjegjësisht në Cyrih, funksionon edhe Qendra Kulturore e Kosovës (në kuadër të Ministrisë së Diasporës). Synim i QKK-së është po ashtu koordinimi ose vënia e një kupole mbi organizimet kulturore të mërgatës shqiptare në Zvicër por në kushtet e një financimi shumë të mangët, me gjithë përpjekjet, ajo e ka të vështirë të realizojë synimin e saj.
E-Diaspora
-
Kurti, me studentët shqiptarë të St.Gallenit, debaton për të ardhmen e Kosovës Debatin me Kurtin, mbi temën "Investimi në të ardhmen e Kosovës" e ka udhëhequr profesori i...
-
Së shpejti do të publikohet fjalori më i madh i gjuhës shqipe
-
Kurti në Cyrih prezanton Kosovën si vend të përshtatshëm për të investuar
-
Kurti niset drejt Zvicrës për takim me mërgatën
-
Kroaci: Përurohet shtatorja e “Nënë Terezës” në Osijek
Jeta në Austri
-
Çfarë duhet të dini për jetesën në një apartament të përbashkët në Austri Të jetosh në një banesë të përbashkët – ose një Wohngemeinschaft (WG) – është e zakonshme...
-
Tregu i parë i Krishtlindjeve në Vjenë i vitit 2024, do të hapet më 7 nëntor
-
Austri: Turizmi goditet nga përmbytjet, por vera shënon rekord të ri
-
Mbrëmje e madhe e boksit në Austri
-
Kërcënimet me bombë, hetime të pavarura në Austri dhe Zvicër