Sport

Kuqezinjtë të kënaqur me fitoren

Trajneri Gianni De Biasi dhe futbollistët kuqezi janë shprehur shumë të kënaqur me fitoren ndaj Lihtenshtajnit, derisa kanë filluar përgatitjet për ndeshjen ndaj Spanjës

Në përfundim të sfidës me Lihtenshtajnin, trajneri i kombëtares shqiptare, Gianni De Biasi u shpreh se është i kënaqur me rezultatin dhe lojën që solli fitoren e dytë radhazi për kuqezinjtë dhe i vendosi ata për herë të parë në krye të grupit pas ndeshjes së dytë në ndonjë eliminatore, shkruan albinfo.ch.

“Le të themi, që do të ishte ndeshje e vështirë, duhet ta luanin në mënyrë të zgjuar dhe me ritmin e duhur dhe besoj se ja dolëm mbanë dhe pse mund të kishim një tjetër rezultat. Duhet ta fitonim me çdo kusht këtë ndeshje dhe duhet të luanim me shumë forca sulmuese dhe besoj se e bëmë diçka të tillë”, tha De Biasi pas ndeshjes.

Por ai ka vënë në dukje edhe gabimet e bëra gjatë lojës. “Ishim sulmues në shumë momente të kësaj sfide dhe shpeshherë u shfaqëm të rrezikshëm. Ku nuk luanim ndërkohë siç e kishim parashikuar ndeshjen, atëherë hasnim vështirësi. Gjithsesi jam i kënaqur me atë që dhanë lojtarët në fushë”, theksoi ai.

Mbrojtësi i kombëtares shqiptare, Elseid Hysaj pas ndeshjes ndaj Lihtenshtajnit është shprehur se ndeshja me Spanjën është shumë e vështirë.

“Shyqyr që u bëmë edhe në shkodranët një herë. Më gëzon që bëri Bekimi përsëri gol, pasi është si gol edhe për mua. Shpresoj ta bëjë edhe në ndeshjen tjetër”, u shpreh ai për asistim që dha për Balajn.

“Unë jam shumë i kënaqur që luaj për vendin tim dhe shpresoj të vazhdoj kështu. Ndërkaq, shqiptarët janë kudo dhe na bëjnë të ndjehemi kudo si në shtëpinë tonë, gjithmonë”, ka falënderuar tifozët Hysaj.

“Kemi menduar për atë ndeshje shumë pak, pasi mendonim për këtë, sepse kjo ishte një ndeshje shumë e vështirë. Këto janë ndeshjet më të vështira, duket sikur janë skuadrat më të lehta por ndodh një episod që vendos gjithçka, si për rezultatin dhe klasifikimin. Ndaj jemi të gjithë të kënaqur për si e mbyllëm sfidën”, u shpreh ai duke folur për ndeshjen me Spanjën.

Autori i golit të dytë për Shqipërinë përballë Lihtenshtajnit, Bekim Balaj pas ndeshjes është shprehur mjaft i lumtur me golin që vulosi fitoren 2:0 për Shqipërinë. “Ishte një ndeshje e rëndësishme për ne. Ishim të detyruar që të fitonim. Ishte e sikletshme, pasi në letër na dukej e lehtë, arritëm të menaxhonim lojën dhe të shënonim”.

“Arritëm të gjenim golin me presing dhe më pas kontrolluam lojën me zgjuarsi, pasi të tilla ndeshje duhet kujdes”.

“Unë jam tifoz i Realit të Madridit, këtë gjë i kam thënë edhe gjatë ndeshjes në Portugali Pepes kur i shënova, shpresoj të shënoj edhe përballë Ramosit të dielën”, u shpreh Balaj.