Sport

Uellsi sfidon Portugalinë

Duel në vete do të jetë edhe sfida në mes Gareth Bale dhe Cristiano Ronaldos, dy yje të Real Madridit

Ndeshja e parë gjysmëfinale e Kampionatit Evropian do të zhvillohet sonte në mes Uellsit dhe Portugalisë, derisa takimi tjetër gjysmëfinal zhvillohet të enjten në mes Francës dhe Gjermanisë. Dy ndeshjet fillojnë nga ora 21:00, shkruan albinfo.ch.

Uellsi nuk i trembet aspak Portugalisë për ndeshjen gjysmëfinale të “Euro 2016”, edhe pse kësaj skuadre do t’i mungojë një futbollist kyç si Aaron Ramsey. Vet trajneri Chris Coleman ka lëshuar këtë mesazh në prag të përballjes me luzitanët, që do të luhet mbrëmjen e së mërkurës. “Është një territor i ri. Ti mund të verbërohesh nga dritat dhe më pas të kthehesh pas nga ke ardhur, ose të besosh te vetvetja dhe të luftosh për identitetin tënd. Kalon shumë kohë duke menduar më shumë për atë që nuk dëshiron që të ndodhë, sesa të përqendrohesh tek ajo që dëshiron vërtet. Mesazhi është të mos kemi frikë, nuk kemi asnjë arsye për këtë”.

Dilema më e madhe e Coleman është zëvendësimi i Ramsey, i cili në ndeshjet e luajtura me Uellsin ka arritur të shënojë një gol dhe të japë 4 asiste. Në të njëjtën kohë, ai nuk do të ketë as qendërmbrojtësin Ben Davies, pasi ky ashtu si dhe Ramsey janë të skualifikuar.

Fernando Santos nuk dëshiron ta shohë Portugali-Uells si një sfidë mes Cristiano Ronaldos dhe Gareth Bale. Trajneri i luzitanëve e merr me sportivitet gjysmëfinalen e parë të Evropianit, madje nuk ngurron të bëjë humor për të shmangur tensionin. “Ronaldo dhe Bale janë dy lojtarë me shumë eksperiencë dhe që janë mësuar me kaq shumë presion. Mirëpo, kjo ndeshje nuk është vetëm mes tyre. Janë shumë futbollistë te të dyja skuadrat që kërkojnë të shkojnë në finale. Nëna ime dikur më thoshte se gjëja më e rëndësishme është të zgjohemi në mëngjes, sepse do të thotë se jemi gjallë”.

Më pas Santos lë të kuptohet se ka dyshime për sa i përket formacionit titullar. “Të shohim se në çfarë gjendjeje do të jetë Pepe. Kemi nevojë për lojtarë që japin 100%. Ne dëshirojmë të shkruajmë historinë. E kaluara ka rëndësi për të gjithë, por e përsëris ne duam të hyjmë në histori. Ndaj Uellsit mund të hedhim një tjetër hap drejt suksesit final, por do të kemi një kundërshtar shumë të fortë. Do të jetë e vështirë dhe shpresoj që të luajmë me të njëjtën përulësi”, theksoi ai.

Portugalia ka mundësinë e artë të rikthehet sërish në finale pas 12 viteve ku do të ketë mundësinë për të fshirë zhgënjimin e asaj disfate të papritur nga Greqia, por fillimisht duhet të mendojë për takimin e Lionit pasi ekipi i Coleman është një kockë e fortë. Cristiano Ronaldo ka zgjedhur të qëndrojë në hije kjo ndoshta jo për dëshirë të tij, ndërsa në krahun tjetër Bale është shkrirë me filozofinë e Uellsit pasi ai nuk konsiderohet një yll, por një lider në radhët e uellsianëve.

Mungesa më e madhe e kësaj sfide do të jetë Aaron Ramsey, i cili plotësoi numrin e kartonëve, por kjo nuk është një kambanë alarmi pasi në skuadrën e Coleman nuk komandojnë emrat dhe cilësia. Në grupin luzitan, Moutinho pritet ta nisë nga minuta e parë për t’i dhënë më shumë fantazi mesfushës, ndërsa Renato Sanchez ngroh motorët për një tjetër ndeshje historike.

Në 6 ndeshjet e fundit evropiane Portugalia numëron vetëm barazime, ndërsa kjo është hera e 4 që siguron gjysmëfinalen në 5 evropianët e fundit. Në krahun tjetër, Uellsi ka bërë një rrugëtim fantastik deri në gjysmëfinale dhe në këtë ndeshje, të besuarit e Coleman kanë mundësinë t’i tregojnë botës se edhe pse një komb i vogël, ata mund t’ia dalin të bëjnë gjëra të mëdha, ashtu si Hal Robson-Kanu me atë gol fantastik kundër Belgjikës.

Në kampin portugez, William Carvalho është mungesa e vetme për trajnerin Santos, i cili nuk do ta ketë të vështirë për ta zëvendësuar, duke parë numrin e madh të lojtarëve cilësorë që ka në dispozicion. Të dyja kampet po planifikojnë ta shtrijnë këmbën e gazit në maksimum sepse kjo është një sfidë ku i fituari arrin majën, ndërsa i i humburi duhet të largohet me brinjë të thyera.

Cristiano Ronaldo ka mundësinë e artë për t’u konfirmuar lider dhe pretendent në garën për topin e artë, por mbi të gjitha të thyejë mallkimin me kombëtaren, ndërsa Gareth Bale synon të pasojë gjurmët e tij. Në Lyon do të luhet një nga duelet më të paparashikueshëm të futbollit evropian, Uellsi i vogël sfidon Portugalinë që i ka dhuruar botës disa nga emrat më të njohur të kësaj loje.