Pesë javë para referendumit mbi iniciativën „Për mbrojtje nga dhuna e armëve” që do të mbahet më 13 shkurt, shenjat janë se populli do të votojë pro kësaj iniciative që synon kufizimin e mbajtjes së armëve.
Këtë e ka treguar një sondazh i Institutit për Hulumtimin e Opinionit Publik „Isopublic” i bërë me porosi të gazetës „Sonntagsblick”, i kryer me 1000 respodentë.
Sikur votimi të kryhej sot, sipas sondazhit, 45 % të zviceranëve do të votonin në të mirë të iniciativës së hedhur në referendum nga Partia Socialdemokrate dhe një numër organizatash tjera të majta.
34% e të anketuarve do të votonin kundër dhe 21% janë shprehur të pavendosur, shkruan gazeta „Sonntagsblick”.
Iniciativa kërkon që armët ushtarake të deponohen në kazerma dhe jo në shtëpitë e shërbyesve ushtarakë, siç ndodh tash. Po kështu, nëse iniciativa mbështetet nga votuesit, armë mund të posedojnë vetëm ata që përmes një dëshmie ose vërtetimi e dëshmojnë se e kanë të domosdoshme dhe se kanë aftësi për ta përdorur.
Veç tjerash, sipas iniciativës, duhet të regjistrohen të gjitha armët e zjarrit.