Dy kompani belge kanë vendosur tashmë për të investuar në Maqedoni, dhe pritet një kompani tjetër për të konfirmuar investimin në javën e fundit të janarit, ka paralajmëruar Agjencia për investime të huaja dhe promovim të eksportit të Republikës së Maqedonisë, raportojnë mediat nga Shkupi, përcjell albinfo.ch.
Një nga investimet e paralajmëruara është në sektorin e tekstilit, ndërsa sektori tjetër është në logjistikë.
Në kuadër të vizitës së tij në Belgjikë, drejtori i Agjencisë për investime të huaja dhe promovim të eksportit të Maqedonisë, Visar Fida, mori pjesë në Forumin e Biznesit në Antwerp, të organizuar nga Zyra e Agjencisë së investimeve të huaja në Bruksel, e cila mblodhi më shumë se 100 kompani në rajonin e Flandrës nga sektorë të ndryshëm duke përfshirë industrinë e automobilave, të logjistikës, IT, industrisë ushqimore, tekstilit etj.
Përveç pjesëmarrjes në këto ngjarje, Fida ka zhvilluar negociata intensive me disa nga kompanitë për joshur të investojnë në Maqedoni.
Belgjika figuron në mesin e dhjetë partnerëve më të mëdhenj tregtarë të Maqedonisë.
Këmbimi tregtar me këtë vend evropian nga viti në vit në vazhdimësi po rritet. Për 10 muajt e parë nga ky vit, këmbimi tregtar me Belgjikën arrin 155,9 milionë dollarë, prej të cilave 101 milionë llogariten në eksportin nga Maqedonia.