Lajme

55% të të mbeturve të papunë punësohen një vit pas “çregjistrimit”

Veçanërisht të prekur nga kjo gjendje kanë qenë dhe janë personat në moshën në mes 45 dhe 64 vjeçare si dhe ata pa kualifikime profesionale dhe në veçanti, ata me prejardhje të huaj

Më shumë se gjysma e personave “të çregjistruar” – kështu quhen ata që kanë mbaruar fazën e mbështetjes nga asistenca për të papunët – kanë gjetur punë në vitin e parë pas çregjistrimit. Këtë e tregon një hulumtim i realizuar nga Zyra Federale për Statistikë, që përpunon periudhën nga viti 2014 deri në vitin 2018.

Rezultati i hulumtimit tregon se 55 për qind të personave të çregjistruar kanë arritur të hyjnë sërish në botën e punës brenda 12 muajve të parë, transmeton albinfo.ch. Në krahasim me të punësuarit tjerë, ata marrin paga më të ulëta dhe punojnë shpeshherë vetëm mbi bazë të thirrjeve (punë e kohëpasohëshme).

Gjatë pesë viteve të fundit, nga zyrat e ndërmjetësimit të punës (RAV) për çdo vit janë çregjistruar mesatarisht nga 38.000 veta.

Veçanërisht të prekur nga kjo gjendje kanë qenë dhe janë personat në moshën në mes 45 dhe 64 vjeçare si dhe ata pa kualifikime profesionale dhe në veçanti, ata me prejardhje të huaj.

Përderisa 91% të të punësuarve kanë një kontratë të përhershme pune, te të çregjistruarit janë 87% që kanë një kontratë të tillë, përcjell albinfo.ch. 27% të meshkujve të çregjistruar kanë punuar me orar të pjesshëm ndërkohë që te punëmarrësit “normalë” kjo kategori përbën vetëm 15%.