Elizabeta Berisha është një 17-vjeçare e lindur dhe e rritur në Amerikë, ka filluar një aksion humanitar për të mbledhur medikamente dhe pajisje mjekësore në mënyrë që të ndihmojë fëmijët e Kosovës.
Berisha, me prejardhje nga fshati Dobërdol i Klinës, jeton me prindërit e saj qysh moti në SHBA dhe është duke studiuar për mjekësi. Ideja për të mbledhur donacione për të ndihmuar fëmijët e Kosovës i erdhi pasi që në vitin 2014 ishte me pushime në Kosovë dhe një nga të afërmit e saj u sëmur dhe kërkoi ndihmë në QKU.
Në spitalin publik të Prishtinës Elizabeta pa se mungonin gjërat elementare dhe nisur nga ky fakt ajo e filloi ta jetësojë idenë e saj. “Nuk mund të besoja që në spital nuk kishte termometër, diçka shumë e vogël, por shumë e rëndësishme”, ka thënë Elizabeta për mediat në SHBA.