Lajme

Zvicra voton për neutralitetin: Çfarë synon iniciativa që kërkon ndryshim të kursit?

Neutraliteti është i përfshirë në Kushtetutën zvicerane që nga viti 1848, por iniciativa kërkon rregulla më konkrete

Më 27 shtator 2026, qytetarët zviceranë do të votojnë për iniciativën popullore “Për ruajtjen e neutralitetit zviceran”, e cila synon ta përcaktojë më rreptësisht në Kushtetutë mënyrën se si Zvicra duhet ta zbatojë neutralitetin e saj.

Neutraliteti është i përfshirë në Kushtetutën zvicerane që nga viti 1848, por iniciativa kërkon rregulla më konkrete. Nëse pranohet, Zvicra do të duhej të mbante neutralitet të përhershëm dhe të armatosur, të mos anëtarësohej në aleanca ushtarake ose mbrojtëse – përveç rasteve të një sulmi të drejtpërdrejtë ndaj vendit – dhe të kufizonte pjesëmarrjen në masa shtrënguese jo-ushtarake.

Një nga pikat më të debatueshme lidhet me sanksionet ndërkombëtare. Iniciativa do ta kufizonte mundësinë që Zvicra të vendosë ose t’u bashkohet në mënyrë autonome sanksioneve të shteteve të tjera. Kjo çështje ka marrë rëndësi të veçantë pas vendimit të Zvicrës për t’iu bashkuar sanksioneve të Bashkimit Evropian kundër Rusisë pas pushtimit të Ukrainës.

Mbështetësit argumentojnë se një neutralitet më i përcaktuar do ta forconte pavarësinë dhe besueshmërinë ndërkombëtare të Zvicrës, duke e bërë më të qartë se vendi nuk pozicionohet në konfliktet mes shteteve, transmeton albinfo.ch.

Qeveria dhe Parlamenti zviceran e kundërshtojnë iniciativën. Sipas Këshillit Federal, neutraliteti aktual ka funksionuar për më shumë se 180 vjet pikërisht sepse Zvicra ka pasur fleksibilitet për ta përshtatur politikën e saj me zhvillimet ndërkombëtare. Qeveria argumenton se rregullat e propozuara do ta kufizonin hapësirën e veprimit në politikën e jashtme dhe të sigurisë.

Këshilli Federal thekson gjithashtu se votimi nuk është për heqjen apo ruajtjen e neutralitetit si të tillë. Pavarësisht rezultatit, Zvicra do të mbetet neutrale; çështja është nëse neutraliteti duhet të vazhdojë të zbatohet në formën aktuale apo të përcaktohet shumë më rreptësisht në Kushtetutë.