Jeta në Zvicër

Hapen bursat zvicerane për vitin 2027-2028

Bursat e Ekselencës të Qeverisë zvicerane u dedikohen studiuesve dhe artistëve ndërkombëtarë

Zvicra ka hapur nga sot, 20 gusht 2026, aplikimet për programin “Swiss Government Excellence Scholarships” për vitin akademik 2027-2028.

Sipas Sekretariatit Shtetëror zviceran për Arsim, Kërkim dhe Inovacion, programi synon të mbështesë shkëmbimin ndërkombëtar dhe bashkëpunimin në fushën e kërkimit, përcjell albinfo.ch.

Bursat janë të dedikuara kryesisht për studiues të huaj që dëshirojnë të zhvillojnë projekte kërkimore në Zvicër, si dhe për kandidatë në fushën e artit, sipas kushteve të përcaktuara për secilën kategori.

Përzgjedhja e kandidatëve bëhet nga Komisioni Federal për Bursat për Studentët e Huaj. Në vlerësim merren parasysh profili i kandidatit, cilësia e projektit kërkimor ose artistik dhe potenciali për bashkëpunim të ardhshëm.

Për kandidatët në fushën e kërkimit kërkohet edhe gjetja e një mbikëqyrësi akademik në Zvicër, ndërsa aplikimi duhet të përgatitet dhe të dorëzohet përmes sistemit zyrtar të bursave.

Afatet dhe kushtet konkrete të aplikimit mund të ndryshojnë sipas shtetit të origjinës dhe llojit të bursës, prandaj kandidatët duhet të kontrollojnë kriteret përkatëse para dorëzimit të aplikimit.