Egzonita Ala shpallet “Miss Gjermania 2014” (Video)

Sukseset e vajzave shqiptare nëpër konkurse bukurie në botë tashmë nuk janë risi.

Spektakli “Miss Gjermania 2014” i cili është mbajtur në Dortmund ka ndarë çmimet kryesore për dy vajza shqiptare.

Egzonita Ala është bukuroshja shqiptare që është zgjedhur “Miss Gjermania 2014”, çmimi i dytë i ka takuar një tjetër vajze shqiptare. Fjala është për Fjollza Avdiun nga Mitrovica për të vijuar me çmimin e tretë të fituar nga Sabrina Nennemann.

Më këtë fitore Egzonita ka përfituar kontratë një vjeçare me kompaninë “Emmi Nail”, pastaj 15 mijë euro para të gatshme, ndërsa do të përfaqësojë Gjermaninë në spektaklin botëorë “Miss Bota 2014” që do të mbahet në nëntor në Londër.

Menaxherja e Egzonitës, njëherësh artiste e njohur për make -up në Gjermani, zonja Nazlije Sadrija e cila është prej vitesh  pjesë e stafit të këtij spektakli, është ndarë shumë e lumtur me fitoren e vajzave shqiptare.

“ Vajzat shqiptare dallohen për bukurinë që e kanë. Dhe, këtë më së miri e dëshmoi edhe nata e mbrëmshme ku dy vajza shqiptare fituan vendet kryesore të këtij spektakli. Fituesja e këtij spektakli, Egzonita Ala jo vetëm që më bëri mua të lumtur si menaxhere e saj dhe familjen, por i bëri krenarë të gjithë shqiptarët kudo që janë. Me bukurinë që e ka, kjo vajzë do të na prezantojë denjësisht edhe në Miss Bota”, ka thënë ajo për “albinfo.ch”.

Egzonita, e cila mban titullin edhe si fituese e spektaklit “Miss Diaspora 2014” është 17 vjeçare nga Peja, banon në Shtutgart ndërsa vijon mësimet për ndihmëse të mjekut të dhëmbëve.

A.Gj.

Heidi Lushtaku, kontratë me “Hera”

Modelistja shqiptare që jeton në Zvicër, Heidi Lushtaku, ka lidhur një marrëveshje me firmën ndërkombëtare zvicerane të rrobave „Hera“.

Me këtë nënshkrim shqiptarja do të prezantojë koleksionet e fundit të veshjeve të markës së njohur „Hera“ për 3  vjet, duke filluar nga 2014 deri 2016.

Finalistja e “Miss Zvicra 2013” së fundi ka bërë një seri fotografish  për „Switcher make Swiss“, ndërsa ka xhiruar një klip me një këngëtar shumë të njohur në Afganistan.

Heidi ekskluzivisht për albinfo.ch sjell disa foto me veshjet e njohura zvicerane „Hera“.

 

Saranda Maliqi, e treta në “Mis Zvicra 2014”

Në finalen e spektaklit “Miss Zvicra 2014”, shqiptarja Saranda Maliqi ka arritur rezultatin deri më tash më të mirë prej se kanddatet shqiptare marrin pjesë në këtë garë. Ajo ka zënë vendin e tretë, menjëherë pas fitueses, Mis Zvicrës 2014, studentes nga kantoni Vaud Laetitia Guarino dhe kandidates nga Berna Michlle Stofer.

Saranda Maliqi është me prejardhje nga Kosova (Gjilani) dhe jeton në Schönenwerd të kantonit Solothurn. Ajo është 23 vjeçe dhe punon si asistente e sekretarit të komunës. Saranda e sheh veten si një modeliste dhe moderatore në të ardhmen dhe shpreson se suksesi në “Mis Zvicra 2014” do t`ia hapë rrugën drejt realizimit të këtij synimi

Kandidatja e dytë shqiptare, Anita Shala është diskualifikuar në mesin e dy të parave nga 12 finalistet.

Më parë, javën e kaluar, nga gara kishte rënë edhe kandidatja tjetër shqiptare, Donika Krasniqi.

Spektakli i finales së garës “Mis Zvicra 2014” është mbajtur në një skenë të improvizuar në sheshin kresor të Bernës, në Bundesplatz.

Saranda Maliqi miaa zvicra 2014

Shqiptarja përfaqëson Belgjikën në Miss Asia Pacific

Shqiptarja që mban titullin Miss Benelux, Adelina Berisha është përzgjedhur Miss Asia Pacific World Belgium dhe ajo do të përfaqësojë Belgjikën në këtë kompeticion të bukurosheve.

Adelina është 18 vjeçare dhe është kandidatja më e re për këtë spektakël të madh. Stafi menaxhues i Adelinës është i bindur se Miss Benelux do ta bëjë më të mirën nga ana e saj.

Miss Asia Pacific World është një garë e një rëndësie të veçantë, ku Adelina mund të ndërtojë një karrierë shumë të mirë, shkruan agjencia Ina.

Adelina gjithashtu në fund të muajit gusht do të qëndrojë në Itali, ku do të marrë pjesë në konkursin e modelimit “The Look Of the Year”, e më pas në muajin tetor do të niset për në Kore.

06.07.2013

Albana Shabani, rrëmben kurorën e më të bukurës në Schwarzwald

Më e bukura vajzë e Schwarzwaldit vjen nga lokaliteti Triberg. Ajo quhet Albana Shabani, është 17 vjeçe, ka gjuhë amtare shqipen dhe po mëson tashmë gjuhën e pestë. Albana është zgejdhur pak ditë më parë nga një juri 13 anëtarëshe në Bad Peterstal-Griesbach Mis Schwarzwald, duke mbetur edhe vetë e befasuar me zgjedhjen.

Me flokët e saj të zeza dhe me buzëqeshjen rrezatuese ajo ka bërë për vete jurinë duke bërë që Albana të fitonte me një dieferencë të madhe pikësh në krahasim me kandidatet tjera. Me këtë fitore ajo është kualifikuar për të bërë garë për kurorën e më të bukurës në landin Baden Württemberg dhe për atë të Gjermanisë Jugore.

Në parakalim Albana ka dalë e shoqëruar nga motra e saj më e madh. Ndërsa e ëma, nuk kishte mundur të ishte e pranishme por flet me entuziazëm për të pas suksesit të së bijës.

Për bartësen e re të kurorës Miss Schwarzwald, familja ka rëndësi shumë të madhe . “Ajo më mbështet shumë dhe sikur të mos e kisha këtë mbështetje unë nuk mund ta bëja këtë”, thotë Albana e cila është një ndër pesë fëmijët e familjes Shabani.

Misi i ri i Schwarzwaldit është duke ndjekur mësimet në gjimnazin ekonomik në Furtwangen dhe qysh si e vogël kishte ëndërruar të fitonte në një garë për mis.

Si nxënëse e rregullt që është, ajo menjëherë pas garës ka vazhduar për në shkollë, ku suksesi i saj nuk ka mbetur pa u vënë re. Edhe drejtori i gjimnazit ia ka uruar titullin dhe është zotuar se në garën e ardhshme do të jetë pranë saj për ta përkrahur. Albana në asnjë mënyrë nuk mendon të braktisë shkollën për shkak të angazhimit si mis Schwarzwald, shkruan südkurier.de. në vitin 2015 ajo do të bëjë abiturën dhe pastaj të fillojë studimet. Aktualisht është duke mësuar gjuhën e pestë, spanjishten. Ajo e zotëron gjuhën e prindërve, shqipen dhe veç saj edhe gjermanishten, anglishten dhe frëngjishten.

Më 8 janar të vitit 2014 Albana Shabani do të marrë pjesë në garën për Mis Gjermania Jugore që do të mbahet po ashtu në Bad Peterstal-Griesbach.

28.09.2013

Luanda Krasniqi, nënkampione në disiplinën e shitjes

Rreth dy javë më parë në Salzburg, Austri, janë mbajtur garat e njëmbëdhjeta me radhë për shitësin-en më të mirë të ri, ku kanë marrë pjesë kandidatë nga Austria, Zvicra, Gjermania dhe Tiroli i Jugut (Itali).

Në garën e ngushtë për titullin “Junior Sales Champion” ka hyrë edhe shqiptarja 18 vjeçare nga Walliseleni i Cyrihut, Luanda Krasniqi, e cila në fund ka dalë e dyta. Vendin e parë e ka zënë shitësja nga Tiroli i Jugut, Isabella Auer ndërsa të tretin Tamara Ali, nga Austria. E katërta në renditje ka qenë zvicerania Romy Heierli.

Luanda, një vajzë simpatike dhe e zgjuar, ka bërë përvojat e saj të para edhe si modele. Ndërsa si punë të rregullt ajo ka shitjen e pajisjeve elektronike në Melectronik, që është sektor i koncernit të madh tregtar të Zvicrës, Migros. Ajo, siç shkruajnë mediet austriake dhe zvicerane ka qenë veçanërisht bindëse në bashkëbisedimin me klientët testues, me kërkesa të mëdha dhe me njohje të thellë të produkteve.

Luanda, sipas jurisë, ka treguar me këtë rast njohuri të shkëlqyera profesionale, ndjeshmëri të lartë, fleksibilitet dhe fuqi bindëse. Ajo ka bërë këshillimin e klientëve testues edhe në gjuhën angleze, duke “e shitur” një kamerë digjitale.

Juria po ashtu ka vlerësuar edhe prezantimin e produktit, teknikën e argumentimit dhe paraqitjen e kandidateve.

Përveç certifikatave, fitueset do të shpërblehen edhe me çmime në të holla dhe në sende.

Tre kosovarë në “Miss & Mister Zvicra frankofone”

Duket se nuk ka spektakël në Zvicër që nuk figuron ndonjë emër shqiptar. Bashkatdhetarët tanë në fushën e artit, e sidomos atë të modës dhe bukurisë, kanë bërë hapa shumë të mëdhenj përpara. Edhe në spektaklin “Miss & Mister Zvicra frankofone” gjenden tre shqiptarë. Luara Baxhaku, Ismet Halimi dhe Granit Jahmurataj janë tre emrat që kanë kaluar në finalen e këtij konkursi të bukurisë në Zvicër.

Laura Baxhaku, 18-vjeçare, e cila jeton në kanton Vaud dhe është me prejardhje nga Fushë-Kosova, thotë për “albinfo” se ishte motra e saj, e cila ka insistuar që ajo të marrë pjesë në këtë spektakël. “Përpara nuk mendoja të merrja pjesë në konkurse bukurie, por ishte motra ajo që më shtyri të konkurroj. Tani jam zgjedhur për të qenë në finale dhe po më pëlqen shumë kjo fushë. Jam pak tip e mbyllur dhe ky konkurs po më ndihmon të jemë më e afërt me njerëzit. Pjesëmarrja në këtë spektakël më ka hapur dyer të shumta për të sfiluar edhe për stilistë të shumtë”, ka thënë Laura.

Ndërkohë njëri nga konkurrentët për mister, 19-vjeçari Ismet Halimi, ka thënë se ka marrë pjesë edhe më herët si model, por jo në një konkurs për mister. Djaloshi që jeton në Gland të Zvicrës me prejardhje është nga Prishtina, një kohë ishte edhe futbollist i Lozanës: “Hobi im është futbolli, të cilin deri në moshën 18-vjeçar kam luajtur për Lozanën, por për shkak të angazhimeve me punë të përditshme nuk kam mundur t’i arrij të gjitha”, ka thënë Ismeti.

E, në anën tjetër, konkurrenti Granit Jahmurataj, me prejardhje nga Peja, por që jeton në Valis të Zvicrës, shprehet i lumtur që janë tre kandidatë kosovarë që marrin pjesë në një spektakël të bukurisë në Zvicër. “Unë jam shumë i lumtur që jemi tre shqiptarë në këtë show. Ne kalojmë shumë mirë me njëri- tjetrin dhe nuk kemi aspak xhelozi”, ka thënë 21-vjeçari që jeton në Valis, me prejardhje nga Peja.

“Miss & Mister Zvicra frankofone” mbahet më 24 maj, ndërsa synimi i tre kandidatëve është që të kurorëzohen me titullin fitues, por pavarësisht kësaj, ata ëndrrojnë që të kenë suksese të mëdha jo vetëm në Zvicër, por edhe jashtë saj.

Zana Iseni konkurron për “Miss Berna 2014”

Bukuroshja Zana Iseni, me një gjatësi prej  1.70 centimetrash vjen nga Bieli. 18-vjeçarja punon si nëpunëse komerciale dhe thotë se nëse zgjidhet mis Berna, atëherë do të përfaqësojë më miri vendin prej nga vjen.

“Nëse marr kurorën “Miss Berna 2014” do të tregojmë se nuk jemi vetëm të bukura, por edhe inteligjente. Miss Berna do të jenë vajzat dhe djemtë e rinj”, ka thënë Zana.
Për ndryshe, më 24 maj të këtij viti do të mbahet nata finale dhe në këtë mbrëmje do të marrin pjesë 12 vajza, ndërsa pritet që njëra nga shqiptaret të shkëlqejë dhe të fitojë kurorën e “Miss Berna 2014”.

Në portalin “Miss Bern” mund të mësoni më shumë për 12 kandidatet finaliste që pretendojnë kurorën e më të bukurës në Bernë. Miss Bern 2014

 

albinfo.ch

Adelina Kuqi, Mis Zvicra Veriperëndimore

Adelina  jeton në Kaiseraugst të kantonit Aargau dhe më 17 korrik mbush 22 vjet.

Ditë më parë Adelina, në një spektakël të madh të mbajtur në Bazel është zgjedhur më e bukura në regjionin e madh të Zvicrës Veriperëndimore, që përfshin kantonet: Baselstadt, Basellandschaft, Aargau dhe Solothurn.

Adelina, e cila deri më tash modelimin, e ka pasur si hobi, me trofeun e fituar konsideron se atë mund ta shndërrojë edhe në profesion. Ajo ka ambicie dhe vullnet që ta bëjë këtë. Siç thotë për mediet zvicerane, ëndrra e saj është që të defilojë në pistat e njohura të modës si në Milano, Nju Jork etj.

Nga shkurti i këtij viti ajo ka një vend pune në një byro për ndërmjetësim të punësimit, shkruan aargauerzeitung.ch. Ka qenë në garat për Miss Zvicra dhe në disa organizime nga fusha e modës në Zvicër dhe në Gjermani.

Këtë verë Adelina së bashku me të dashurin e saj pushimet do t`i kalojë në SHBA. Atje shpreson se do të lidhë kontakte të nevojshme me botën e modës dhe të bukurisë.

Në Kaiseraugst, qytezën ku jeton Adelina, është ritur edhe ylli i futbollit zviceran dhe botëror, Xherdan Shaqiri.