Lajme

Vapa po ua ndryshon pushimet zviceranëve

Ndikimi i vapës në zgjedhjen e pushimeve është veçanërisht i dukshëm te të rinjtë

Temperaturat gjithnjë e më të larta gjatë verës po ndikojnë edhe në mënyrën se si zviceranët planifikojnë pushimet. Më shumë se gjysma e popullsisë në Zvicër ose i ka ndryshuar tashmë planet e udhëtimit për shkak të vapës, ose synon ta bëjë këtë në të ardhmen.

Sipas një sondazhi përfaqësues të realizuar nga Marketagent për operatorin turistik Dertour Suisse, 27 për qind e 1,000 të anketuarve deklaruan se tashmë i kanë përshtatur planet e tyre të pushimeve për shkak të temperaturave të larta. Ndërkohë, 29 për qind thanë se planifikojnë ta bëjnë këtë në të ardhmen, ndërsa 37 për qind nuk synojnë ndryshime, shkruan swissinfo.ch, transmeton albinfo.ch.

Ndikimi i vapës në zgjedhjen e pushimeve është veçanërisht i dukshëm te të rinjtë. Rreth 65 për qind e Gjeneratës Z, të lindur ndërmjet viteve 1995 dhe 2010, kanë ndryshuar ose planifikojnë të ndryshojnë mënyrën se si i organizojnë pushimet. Te Millennials kjo përqindje është rreth 64 për qind.

Gjeneratat më të vjetra duket se ndikohen më pak nga temperaturat e larta. Vetëm 47 për qind e Gjeneratës X dhe 44 për qind e “baby boomers” kanë ndryshuar ose synojnë të ndryshojnë planet e tyre.

Çmimi mbetet faktori kryesor

Megjithëse, temperaturat po bëhen gjithnjë e më të rëndësishme, ato nuk janë ende kriteri kryesor kur zviceranët zgjedhin destinacionin e pushimeve.

Për 47 për qind të të anketuarve, raporti i mirë mes çmimit dhe asaj që ofrohet është ndër tri kriteret më të rëndësishme. Peizazhet dhe natyra tërheqëse përmenden nga 32 për qind, ndërsa qetësia, relaksimi, plazhet dhe mundësitë për notim nga 31 për qind. Temperaturat e këndshme janë ndër kriteret kryesore për 21 për qind të të anketuarve.

Gjithnjë e më shumë pushime jashtë muajve më të nxehtë

Përshtatja ndaj vapës nuk nënkupton domosdoshmërisht udhëtimin drejt veriut. Strategjia më e zakonshme është ndryshimi i periudhës së pushimeve.

Rreth 38 për qind e personave që po përshtatin planet e tyre zgjedhin gjithnjë e më shumë të udhëtojnë jashtë muajve më të nxehtë të verës. Ndërkohë, 31 për qind zgjedhin posaçërisht destinacione me klimë më të freskët, kurse 28 për qind ndryshojnë aktivitetet ose oraret gjatë ditës për t’iu shmangur temperaturave më të larta.

Një trend që po fiton popullaritet janë të ashtuquajturat “coolcations”, pushime verore në vende me temperatura më të ulëta. Rreth 69 për qind e të anketuarve i konsiderojnë tërheqëse pushimet verore në destinacione relativisht të freskëta.

Interesimi është edhe më i lartë në disa pjesë të Zvicrës: në rajonin e Cyrihut arrin në 76 për qind, ndërsa në Graubünden në 85 për qind.

Edhe rezervimet turistike po e konfirmojnë këtë tendencë. Sipas Dertour Suisse, gjatë pesë viteve të fundit kërkesa për destinacione si Skandinavia, Skocia dhe Kanadaja është rritur me rreth 21 për qind.

Këto të dhëna tregojnë se temperaturat e larta nuk po ndikojnë vetëm në përditshmërinë e zviceranëve, por gradualisht edhe në kohën dhe destinacionet që ata zgjedhin për pushimet verore.