Pak më shumë se një muaj para votimeve federale të 27 shtatorit, sondazhi i parë i realizuar nga instituti gfs.bern për llogari të SSR-së tregon se iniciativa për neutralitetin e Zvicrës është drejt refuzimit, ndërsa për iniciativën për ushqimin rezultati mbetet shumë i ngushtë.
Sipas sondazhit, 54 për qind e të anketuarve do ta refuzonin iniciativën për neutralitetin, ndërsa 42 për qind do të votonin në favor të saj. Rreth 4 për qind janë ende të pavendosur. Edhe mes zviceranëve që jetojnë jashtë vendit raporti i forcave është pothuajse i njëjtë.
Iniciativa synon që parimi i neutralitetit “të përhershëm dhe të armatosur” të përcaktohet më qartë në Kushtetutën Federale. Ajo do të vendoste kufizime më të forta edhe në politikën e jashtme të Zvicrës, përfshirë çështjen e sanksioneve ndërkombëtare, transmeton albinfo.ch.
Rezultati i sondazhit të SSR-së është në të njëjtën linjë me sondazhet e tjera të publikuara gjatë kësaj jave. Një sondazh i YouGov tregonte 50 për qind kundër dhe 41 për qind në favor të iniciativës për neutralitetin.
Shumë më e ngushtë paraqitet gara për iniciativën “Për një ushqim të sigurt”. Sipas sondazhit të gfs.bern, mbështetësit dhe kundërshtarët janë praktikisht në baraspeshë, çka e bën rezultatin e votimit të 27 shtatorit ende të hapur.
Kjo paraqet edhe një dallim të rëndësishëm krahasuar me sondazhet e tjera të fundit. YouGov kishte matur vetëm 37 për qind mbështetje për iniciativën e ushqimit, kundrejt 52 për qind që e kundërshtonin, ndërsa 11 për qind ishin të pavendosur.
Kështu, ndërsa në këtë fazë refuzimi i iniciativës për neutralitetin duket më i mundshëm, beteja politike rreth iniciativës për ushqimin pritet të mbetet e hapur deri në javët e fundit para referendumit.