Lajme

Rritja e popullsisë në Zvicër ngadalësohet, mbi 9.1 milionë banorë

Popullsia e përhershme e Zvicrës ka vazhduar të rritet gjatë vitit 2025, por me ritëm më të ngadalshëm krahasuar me periudhat e mëparshme.

Sipas të dhënave të publikuara nga Zyra Federale e Statistikave, në fund të vitit 2025 Zvicra kishte 9,127,100 banorë të përhershëm, që përfaqëson një rritje prej 0.8 për qind krahasuar me vitin 2024.

Ngadalësimi i rritjes së popullsisë lidhet kryesisht me një vit të karakterizuar nga më pak imigrim dhe më shumë emigrim, transmeton albinfo.ch.

Nga numri i përgjithshëm i banorëve, 2,528,100 ishin shtetas të huaj, duke përbërë rreth 28 për qind të popullsisë së përhershme të vendit.

Të dhënat tregojnë gjithashtu se rritja më e madhe e numrit të banorëve të huaj është regjistruar në kantonin Uri, ku kjo kategori e popullsisë u rrit me 4.3 për qind.