Lajme

Liqenet në Zvicër po ngrohen deri në 28 gradë, a është e sigurt të notohet?

Temperaturat e larta që po vazhdojnë në Zvicër kanë ngrohur ndjeshëm edhe liqenet, duke ngritur pikëpyetje nëse noti në ujëra kaq të ngrohta paraqet rrezik për shëndetin

Sipas Zyrës Federale për Mjedisin (BAFU), temperaturat e ujit në shumë liqene janë rritur si pasojë e ndryshimeve klimatike. Në fillim të këtij shekulli, temperaturat gjatë verës zakonisht lëviznin ndërmjet 21 dhe 24 gradë Celsius, ndërsa tani në disa liqene arrijnë në 25 deri në 27 gradë, e në raste të caktuara edhe më lart.

Aktualisht, ndër liqenet më të ngrohta janë Katzensee dhe Mettmenhaslisee, ku temperatura e ujit ka arritur në 28 gradë Celsius. Liqeni i Cyrihut, Burgäschisee, Greifensee, Lützelsee, Pfäffikersee dhe Türlersee kanë regjistruar rreth 27 gradë, shkruan The Local, transmeton albinfo.ch.

A paraqesin rrezik bakteret?

Temperaturat më të larta favorizojnë shumimin më të shpejtë të baktereve. Kimisti kantonal i Cyrihut, Martin Brunner, ka bërë të ditur se herë pas here në ujë vërehen edhe mikroorganizma fekalë.

Megjithatë, sipas tij, kjo nuk nënkupton automatikisht një rrezik serioz për notarët. Rrezet UV gjatë ditëve me diell ndihmojnë në reduktimin e numrit të baktereve, veçanërisht në shtresat e sipërme të ujit. Brunner thekson se aksidentet gjatë notit janë shumë më të zakonshme sesa pasojat serioze nga gëlltitja aksidentale e një sasie të vogël uji të liqenit.

Kujdes nga algat blu-jeshile

Një rrezik që nuk duhet neglizhuar janë algat blu-jeshile, të cilat mund të shfaqen në ujëra shumë të ngrohta dhe mund të jenë toksike si për njerëzit, ashtu edhe për kafshët.

Ato mund të duken si një shtresë ngjyre mbi sipërfaqen e ujit dhe shpesh shoqërohen me erë të pakëndshme. Nëse vërehen grumbullime të tilla, rekomandohet që noti në atë zonë të shmanget.

Ndërkohë, lumenjtë zviceranë vazhdojnë të jenë më të freskët se liqenet, me temperatura që zakonisht lëvizin ndërmjet 13 dhe 22 gradë Celsius, falë ujërave që vijnë nga bora dhe akullnajat. Megjithatë, studimet tregojnë se edhe lumenjtë po ngrohen më shpejt se sa pritej për shkak të ndryshimeve klimatike dhe shkrirjes së akullnajave.