Lajme

Hakeri ukrainas në gjyq në Zvicër, akuzohet për sulme ndaj qindra kompanive

Një 52-vjeçar me origjinë ukrainase po gjykohet në Cyrih, pasi akuzohet se ka zhvilluar programe ransomware të përdorura në sulme kibernetike ndaj qindra kompanive në mbarë botën.

Sipas prokurorisë, i dyshuari, i cili jeton prej më shumë se dhjetë vitesh në Zvicër dhe punon si zhvillues softuerësh, dyshohet se ka krijuar malware si LockerGoga, MegaCortex dhe Nefilim. Grupet kriminale që i përdornin këto programe depërtonin në sistemet e kompanive, enkriptonin të dhënat dhe kërkonin shpërblime për rikthimin e tyre.

Më vonë, hakerët përdorën edhe metodën e “zhvatjes së dyfishtë”, duke kërcënuar viktimat me publikimin e të dhënave të vjedhura nëse nuk paguanin. Ndër rastet e goditura ishte edhe kompania zvicerane Stadler Rail, në vitin 2020.

I akuzuari u arrestua në vitin 2021 gjatë një operacioni ndërkombëtar dhe që atëherë ndodhet në paraburgim. Ai i mohon akuzat dhe pretendon se nuk kishte dijeni për aktivitetet kriminale.

Prokuroria kërkon të paktën 12 vite burg, ndërsa mbrojtja kërkon pafajësinë. Vendimi i gjykatës pritet më 10 shtator.

Rasti ka ngritur edhe shqetësime për kapacitetet e Zvicrës në luftën kundër krimit kibernetik. Ekspertët vlerësojnë se hetimi i grupeve ndërkombëtare të hakerëve kërkon shumë më tepër kohë dhe burime sesa krimet tradicionale. Për këtë arsye, është hedhur ideja që autoritetet federale zvicerane të kenë kompetenca më të mëdha në rastet e krimit kibernetik ndërkombëtar.

Autoritetet zvicerane e konsiderojnë këtë një nga hetimet më të mëdha të krimit kibernetik të zhvilluara në vend, ndërsa ekspertët paralajmërojnë se raste të tilla pritet të shtohen me rritjen e krimit kibernetik të organizuar.