Bashkimi Evropian emëroi diplomatin gjerman, Dirk Schubel, si përfaqësues të ri të posaçëm të BE-së për Kosovën.
Schubel do ta marrë detyrën më 1 shtator 2026, me mandat fillestar dyvjeçar, teksa është diplomat me përvojë të gjatë në Shërbimin Evropian për Veprim të Jashtëm (EEAS), Komisionin Evropian dhe Ministrinë e Jashtme të Gjermanisë, transmeton albinfo.ch.
Aktualisht, ai drejton Divizionin për Rusinë në EEAS.
Schubel është pasardhësi i estonesit, Aivo Orav, i cili ka shërbyer në këtë detyrë në dy vjetët e fundit, nga 2024-ta deri në fund të marsit.