Shoqata Kulturore “Bashkimi” nga Zvicra do të marrë pjesë nesër, më 28 nëntor, në koncertin festiv “Për ty, Atdhe”, që do të mbahet në Teatrin Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor në Tiranë, përcjell albinfo.ch.
Koncerti nis në orën 19:00 dhe i kushtohet Ditës së Pavarësisë, duke bashkuar në një skenë këngën, vallen dhe traditat shqiptare.
Sipas njoftimit të teatrit, Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore do të mirëpresë edhe Ansamblin Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Popullore Shqiptare nga Maqedonia e Veriut.
Pjesëmarrja e “Bashkimit” sjell në këtë mbrëmje edhe përfaqësimin e diasporës shqiptare në Zvicër, krahas trupave artistike nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.
Biletat mund të merren pranë biletarisë së teatrit. Ditën e koncertit, ajo do të jetë e hapur nga ora 10:00 deri në 14:00 dhe nga ora 16:00 deri në 19:30./Albinfo.ch