Gjatë vitit 2025, banorët e Zvicrës përshkuan mesatarisht 2,578 kilometra me tren për person, duke realizuar mesatarisht 73,4 udhëtime në vit.
Sipas të dhënave të Shërbimit Informativ për Transportin Publik (LITRA), të publikuara të enjten, numri i kilometrave të përshkuar është rritur me 2,4 për qind, ndërsa numri i udhëtimeve me 3,5 për qind, krahasuar me vitin paraprak, raporton Swissinfo, përcjell albinfo.ch.
Zvicra ka një avantazh prej rreth 900 kilometrash për banor ndaj vendeve që e ndjekin në renditje, përkatësisht Hungarisë, Austrisë dhe Francës.
Në anën tjetër, Greqia renditet e fundit në Evropë, me vetëm 99 kilometra të përshkuar me tren për banor.
Edhe për nga numri i udhëtimeve, Zvicra kryeson bindshëm.
Renditja sipas numrit mesatar të udhëtimeve me tren për banor gjatë vitit 2025:
– Zvicra – 73,4 udhëtime;
– Luksemburgu – 45,5 udhëtime;
– Austria – 37,4 udhëtime;
– Hungaria – 36,1 udhëtime.
Megjithatë, për nga distanca mesatare e një udhëtimi, Zvicra renditet ndër vendet e fundit, me vetëm 35 kilometra.
Në këtë kategori kryeson Lituania me 88 kilometra, e ndjekur nga Franca me 84 dhe Rumania me 83 kilometra.
Statistikat tregojnë se banorët e Zvicrës e përdorin trenin shumë shpesh, veçanërisht për udhëtime në distanca relativisht të shkurtra.