Artistja me origjinë shqiptare R.C. Anaider, e cila jeton dhe zhvillon veprimtarinë e saj artistike në Gjenevë, çel ekspozitën e saj të radhës personale, të titulluar Dimensionet e qenies (Dimensions de l’être), në galerinë Linea, në qytetin Morges, Zvicër.
Përmes këtij koleksioni pikturash, artistja eksploron kompleksitetin e ekzistencës njerëzore, dimensionet e shumëfishta të identitetit, tensionet e brendshme dhe proceset e vazhdueshme të transformimit të qenies.
Në ndërthurjen e figuracionit me abstraksionin dhe përmes dialogut ndërmjet ngjyrave, formave, materies dhe teksturave, R.C. Anaider e paraqet qenien njerëzore si një univers kompleks, të përbërë nga fragmente, kontradikta, kujtime, emocione dhe shtresa identitare. Veprat e saj pasqyrojnë një kërkim artistik dhe filozofik mbi marrëdhënien e individit me vetveten, me të tjerët dhe me botën që e rrethon.
Dimensionet e qenies fton publikun në një udhëtim introspektiv, përtej së dukshmes, drejt atyre dimensioneve të brendshme që formësojnë individualitetin dhe përvojën tonë njerëzore.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur nga 3 dhjetori 2026 deri më 31 janar 2027, ndërsa ceremonia e përurimit do të zhvillohet të enjten, më 3 dhjetor 2026, nga ora 18:00 deri në 21:00.
Vendi: LINEA – Espace artistique
Adresa: Passage de la Couronne 4, 1110 Morges, Zvicër
Përurimi: 3 dhjetor 2026, ora 18:00–21:00
Periudha e ekspozimit: 3 dhjetor 2026 – 31 janar 2027
R.C. Anaider është artiste vizuale, shkrimtare, poete dhe fotografe, me bazë në Gjenevë, Zvicër. Universi i saj artistik ndërtohet në ndërthurjen e disa disiplinave, ku krijimtaria vizuale dhe ajo letrare ushqejnë dhe plotësojnë njëra-tjetrën. E udhëhequr nga një ndjeshmëri e thellë poetike dhe një reflektim filozofik mbi ekzistencën, krijimtaria e saj shqyrton dimensionet e shumëfishta të qenies, kontradiktat, brishtësitë dhe transformimet e saj. Përmes një gjuhe artistike simbolike, ajo eksploron tensionet ndërmjet intimes dhe universales, së dukshmes dhe së padukshmes, individit dhe strukturave shoqërore që e kushtëzojnë atë.
Artiste autodidakte, R.C. Anaider e zhvillon krijimtarinë e saj që në fëmijëri. Rrugëtimi i saj letrar përfshin përmbledhjen poetike Nuk luaj më me detin tim (1999), romanin Shpellat (2022) dhe romanin e saj të dytë, Gruaja Matrioshkë, shkruar në vitin 2026. Paralelisht me letërsinë, ajo ndërton një univers të veçantë piktural, në të cilin figuracioni simbolik dialogon me abstraksionin, materien, teksturat dhe ngjyrën. Veprat e saj janë prezantuar në ekspozita të shumta personale dhe kolektive, në Zvicër dhe në arenën ndërkombëtare.
Përmes koleksioneve të saj të ndryshme pikturale, R.C. Anaider zhvillon një kërkim artistik mbi gjendjen njerëzore, duke i kushtuar vëmendje të veçantë ndërtimit dhe fragmentimit të identitetit, vendit të gruas në shoqëri, kujtesës individuale dhe kolektive, si dhe trashëgimive të dukshme e të padukshme që përcillen nga brezi në brez. Ajo shqyrton gjithashtu konceptet e lirisë, përkatësisë, emancipimit dhe rindërtimit të vetvetes. Praktika e saj artistike po zgjerohet sot drejt skulpturës dhe instalacionit, duke pasuruar gjuhën e saj artistike me forma të reja shprehjeje. Ajo e koncepton artin si një hapësirë lirie dhe reflektimi, ku përvoja individuale ndërthuret me pikëpyetjet universale, duke e ftuar secilin të hedhë një vështrim të ri mbi vetveten dhe botën.

