Skip to content

Në Manastir shënohet Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe

Në Manastir është mbajtur Manifestimi Qendror me rastin e 22 Nëntorit, Ditës së Alfabetit të Gjuhës Shqipe, ku morën pjesë Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, si dhe përfaqësues të lartë institucionalë nga Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Kosova.

Manifestimi u organizua nën patronazhin e ministrit për Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive, Agon Ferati.

Në fjalën e tij para të pranishmëve, kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, theksoi rëndësinë historike të Kongresit të Manastirit, i cili shënoi një moment vendimtar në njësimin e alfabetit të gjuhës shqipe dhe mbetet dëshmi e fuqisë së bashkimit rreth vlerave dhe qëllimeve të përbashkëta.

Ai përcolli mesazhin për ruajtjen e historisë që bashkon shqiptarët, të gjuhës që përfaqëson identitetin e tyre dhe të kulturës që pasuron trashëgiminë kombëtare. Po ashtu, theksoi rëndësinë e përcjelljes së dashurisë për kombin nga brezi në brez.

Ndërkaq, Izet Mexhiti, kryetar i Komunës së Çairit, në mesazhin e tij për 22 Nëntorin, theksoi bashkimin e përfaqësuesve nga Shkupi, Prishtina dhe Tirana në Manastir. Ai rikujtoi se aktivitetet e kësaj dite nisën në Qafë Thanë, me përurimin e pikës së përbashkët kufitare “One Stop Shop”, dhe vazhduan në Shtëpinë e Alfabetit në Manastir, ku u nderuan figurat që kontribuuan në njësimin e alfabetit shqip dhe në krijimin e kësaj trashëgimie kombëtare.

Programi festiv vazhdoi në mbrëmje në Shtëpinë e Kulturës në Manastir, ku tri ansamble artistike prezantuan këngë dhe valle tradicionale, duke sjellë në skenë traditat kulturore të Shkupit, Prishtinës dhe Tiranës.

Manifestimi në Manastir shënoi edhe një herë rëndësinë e Kongresit të Manastirit si një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë kombëtare shqiptare dhe si simbol i unitetit gjuhësor dhe kulturor.