Mbi 12 mijë persona po marrin pjesë në fushatën “Një muaj pa duhan” në Zvicër, duke shënuar numrin më të lartë të pjesëmarrësve që nga nisja e saj në vitin 2022. Prej tyre, mbi 6.150 janë nga pjesa frankofone e vendit.
Fushata synon t’i inkurajojë duhanpirësit që gjatë muajit nëntor të ndërpresin përdorimin e cigareve dhe produkteve të tjera të nikotinës, duke u ofruar këshilla falas nga profesionistët shëndetësorë, mbështetje online dhe grupe komunikimi në WhatsApp.
Sipas një ankete të realizuar më 2024, më shumë se gjysma e pjesëmarrësve kishin vazhduar të mos pinin duhan edhe gjashtë muaj pas përfundimit të programit. Ndërkaq, deri në 90 për qind kishin arritur ta reduktonin konsumin e duhanit ose produkteve të nikotinës. Megjithatë, organizatorët theksojnë se këto rezultate duhen interpretuar me kujdes, për shkak të numrit të kufizuar të përgjigjeve në anketë.
Ekspertët vlerësojnë se ndërprerja e duhanpirjes kërkon mbështetje afatgjatë, pasi varësia nuk është vetëm fizike, por lidhet edhe me zakonet e përditshme. Ata theksojnë gjithashtu rëndësinë e masave parandaluese, si ndalimi i reklamimit të duhanit, rritja e çmimeve dhe rregullimi më i rreptë i produkteve të nikotinës.
Pavarësisht rritjes së interesimit për ndërprerjen e duhanpirjes, Zvicra vazhdon të përballet me sfida në politikat e parandalimit dhe me ndikimin e industrisë së duhanit në vendimmarrjen publike. Ekspertët rikujtojnë se lënia e duhanit sjell përfitime shëndetësore në çdo moshë.