Skip to content

Konfirmohet rasti i parë me malarie në Shqipëri

Është konfirmuar një rast me malarie në Shqipëri, përcjell albinfo.ch.

Sipas TCH, bëhet fjalë për një shtetas të huaj, i cili është diagnostikuar me këtë sëmundje dhe aktualisht ndodhet i izoluar në Shërbimin e Sëmundjeve Infektive pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë.

Raportohet se pacienti është nën kujdesin e mjekëve dhe po merr trajtimin përkatës. Ndërkohë, dyshohet edhe për një rast tjetër, por ende nuk ka të dhëna të konfirmuara për të.

Rasti i konfirmuar ka rikthyer vëmendjen te malaria, një sëmundje infektive që prej dekadash nuk transmetohet në mënyrë endemike në Shqipëri. Sipas të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik, rastet e regjistruara në vend kanë qenë kryesisht të importuara nga persona që kanë udhëtuar në zona ku malaria është e përhapur.

Malaria transmetohet përmes pickimit të mushkonjave të infektuara dhe mund të shkaktojë temperaturë të lartë, të dridhura, dhimbje koke dhe komplikacione të rënda nëse nuk trajtohet në kohë./Albinfo.ch