Një shtetas i Kosovës, i kërkuar nga institucionet e drejtësisë me urdhërarrest ndërkombëtar për dyshimin për përfshirje në veprën penale të dhunimit, është ekstraduar nga Zvicra në Kosovë. Ekstradimi është realizuar të mërkurën, më 11 nëntor 2026, në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar policor, njofton albinfo.ch.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, operacioni është realizuar nga Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në koordinim me njësitë e tjera përkatëse policore dhe institucionet e drejtësisë.
Pas mbërritjes në Kosovë, i dyshuari i është dorëzuar njësive kompetente të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjilan, të cilat do të vazhdojnë procedurat e mëtejshme ligjore.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se do të vazhdojë shkëmbimin e informacioneve dhe bashkëpunimin me institucionet vendore, shtetet dhe organizatat ndërkombëtare, me qëllim parandalimin dhe zbulimin e aktiviteteve kriminale, si dhe gjurmimin dhe arrestimin e personave të kërkuar për vepra penale.
I dyshuari do të përballet me procedurat përkatëse të drejtësisë në Kosovë, ndërsa deri në një vendim përfundimtar gjyqësor vlen prezumimi i pafajësisë./Albinfo.ch