Përfaqësuesit e Lidhjes së Infermierëve Shqiptarë në Zvicër (LISZ) morën pjesë në Konferencën e Parë Ndërkombëtare për Cilësinë e Shërbimeve Shëndetësore, ku zhvilluan takime me përfaqësues të lartë institucionalë dhe diskutuan mundësitë e bashkëpunimit profesional ndërmjet Zvicrës dhe Kosovës.
Konferenca, e organizuar nën moton “Investojmë në cilësi – Ndërtojmë besim”, mblodhi përfaqësues institucionalë dhe profesionistë të shëndetësisë, me qëllim përmirësimin e cilësisë së shërbimeve shëndetësore dhe forcimin e bashkëpunimit profesional.
Ambasadorja zvicerane thekson rëndësinë e diasporës
Një nga momentet e veçanta të konferencës ishte fjalimi i ambasadores së Zvicrës në Kosovë, znj. Anne-Lise Cattin Hennin, e cila theksoi rëndësinë e shëndetit për mirëqenien e individit, zhvillimin dhe prosperitetin e një shteti.
Duke iu referuar rolit të diasporës në Zvicër, ambasadorja përmendi takimin me tre bashkëqytetarë zviceranë nga diaspora, të cilët kishin ardhur në Kosovë për të zhvilluar mundësi bashkëpunimi.
“Jam shumë e kënaqur që, edhe pse ndodhem këtu vetëm prej një ore e gjysmë, tashmë kam takuar tre bashkëqytetarë zviceranë nga diaspora, të cilët kanë ardhur këtu për të zhvilluar bashkëpunime”, u shpreh ambasadorja.
Tre personat të cilëve iu referua ambasadorja janë përfaqësues të kryesisë së Lidhjes së Infermierëve Shqiptarë në Zvicër: Yllka Zuzaku-Mustafa – Presidente e LISZ-së, Ilir Hoti – Nënkryetar dhe Udhëheqës i Strategjisë dhe Bashkëpunimeve dhe Xheneta Zuzaku – Udhëheqëse e Arsimit dhe Zhvillimit Profesional.
Përfaqësuesit e LISZ-së ndodhen në Kosovë në kuadër të angazhimit të tyre vullnetar për të ndërtuar ura bashkëpunimi, për të shkëmbyer njohuri dhe përvoja profesionale, si dhe për të kontribuar në zhvillimin e infermierisë dhe përmirësimin e cilësisë së kujdesit shëndetësor.
Ambasadorja theksoi gjithashtu se bashkëpunimi nuk realizohet vetëm në nivel shtetëror, por edhe përmes lidhjeve të drejtpërdrejta ndërmjet njerëzve, duke nënvizuar rëndësinë e iniciativave të tilla.
Takime me përfaqësues të lartë institucionalë
Gjatë pjesëmarrjes në konferencë, delegacioni i LISZ-së pati mundësinë të takonte znj. Justina Shiroka Pula, Presidente e Republikës së Kosovës, si dhe znj. Donika Gërvalla-Schwarz, zëvendëskryeministre e dytë dhe ministre e Drejtësisë.
Një takim i rëndësishëm u zhvillua edhe me z. Arben Vitia, ministër i Shëndetësisë, i cili, sipas përfaqësuesve të LISZ-së, i ftoi ata të vazhdojnë diskutimet për mundësitë e bashkëpunimit në një takim zyrtar.
Përfaqësuesit e organizatës u pritën gjithashtu nga znj. Nexhmije Gori, kryetare e Odës së Infermierëve të Kosovës, e cila shprehu mbështetjen e saj për zhvillimin e bashkëpunimit profesional.
Gjatë konferencës u zhvilluan biseda edhe me znj. Fetije Huruglica, ish-shefe e Divizionit të Infermierisë në Ministrinë e Shëndetësisë, lidhur me rëndësinë e profesionit të infermierisë dhe zhvillimin e tij.
LISZ vlerësoi veçanërisht angazhimin e z. Lulzim Gashi, udhëheqës i Divizionit për Infermieri në SHSKUK, i cili shoqëroi delegacionin gjatë qëndrimit në Kosovë dhe kontribuoi në realizimin e takimeve me përfaqësues institucionalë.
Organizata shprehu gjithashtu mirënjohje për z. Bardh Ahmeti, shef i kabinetit të ministrit të Shëndetësisë, për ftesën, mikpritjen dhe mundësinë e krijimit të kontakteve të reja profesionale.
Diaspora profesionale si urë lidhëse ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës
Pjesëmarrja e Lidhjes së Infermierëve Shqiptarë në Zvicër në këtë konferencë dëshmon angazhimin e organizatës për forcimin e lidhjeve ndërmjet profesionistëve shqiptarë të shëndetësisë që jetojnë dhe punojnë në Zvicër dhe institucioneve shëndetësore në Kosovë.
Përmes angazhimit vullnetar, shkëmbimit të njohurive, përvojave dhe praktikave profesionale, LISZ synon të krijojë mundësi konkrete bashkëpunimi që kontribuojnë në zhvillimin profesional të infermierëve dhe në përmirësimin e cilësisë së shërbimeve shëndetësore.
Me synimin për të ndërtuar ura të qëndrueshme bashkëpunimi, LISZ mbetet e përkushtuar që njohuritë, përvoja dhe ekspertiza profesionale e fituar në Zvicër të shërbejnë edhe në të mirë të zhvillimit të infermierisë në Kosovë.

Lexoni po ashtu:
Konjufca pret përfaqësuesit e Lidhjes së Infermierëve Shqiptarë në Zvicër


