Skip to content

Abdul El-Sayed fiton zgjedhjet në SHBA, bëhet senatori i parë mysliman në histori

Demokrati Abdul El-Sayed ka mposhtur republikanin Mike Rogers në garën për Senatin në shtetin e Michiganit, duke shënuar një moment historik për përfaqësimin e myslimanëve në politikën amerikane.

Demokrati Abdul El-Sayed ka fituar zgjedhjet për Senatin amerikan në shtetin e Michiganit, duke mposhtur kandidatin republikan Mike Rogers, sipas projeksioneve të mediave amerikane, përcjell albinfo.ch.

Me këtë fitore, 42-vjeçari El-Sayed do të bëhet myslimani i parë që do të shërbejë si senator në historinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kur të nisë mandatin e tij në janar të vitit 2027.

El-Sayed, ish-zyrtar i shëndetit publik, ka garuar për vendin që po lirohet nga senatori demokrat Gary Peters, i cili kishte vendosur të mos kandidonte për një mandat tjetër.

I lindur në Michigan nga prindër emigrantë egjiptianë, El-Sayed u bë i njohur fillimisht në fushën e shëndetit publik, përpara se të angazhohej në politikë. Në fushatën zgjedhore ai u përqendrua te ulja e kostos së jetesës, kujdesi shëndetësor për të gjithë dhe kufizimi i ndikimit të korporatave në politikë.

Fitorja e tij vjen pas një gare të ashpër, gjatë së cilës identiteti dhe besimi i tij fetar u bënë pjesë e debatit politik. Megjithatë, demokrati arriti të fitojë përballë ish-kongresistit republikan Mike Rogers.

Rezultati shënon një moment të rëndësishëm për përfaqësimin e komunitetit mysliman në institucionet më të larta politike të SHBA-së dhe i siguron Partisë Demokratike një tjetër fitore në zgjedhjet e mesmandatit të vitit 2026./Albinfo.ch