Më 29 nëntor, popullsia zvicerane votoi për një rritje prej 0,4% të TVSH-së, me qëllim financimin e pensionit të 13-të të AHV-së (sigurimi pleqëror dhe i të mbijetuarve).
Kafeja, shërbimet e parukerisë, karburanti: ndikimi do të vërehej në jetën e përditshme, me një kosto shtesë vjetore të përllogaritur midis 84 dhe 336 frangave, në varësi të të ardhurave.
Konkretisht, zviceranët do të vendosin përmes votimit nëse do të rritet apo jo TVSH-ja për të financuar pensionin e 13-të të AHV-së. Por, nëse kjo rritje prej 0,4 pikë përqindjeje miratohet, çfarë do të ndryshojë?
Efekti do të ndihet gjatë pagesës së faturës te parukieri, gjatë mbushjes së makinës me karburant, apo gjatë blerjes së pajisjeve elektronike dhe pijeve alkoolike.
Gjithashtu edhe në restorante; për shembull, një kafe që sot kushton 4,70 franga, pas kësaj rritjeje mund të kushtojë 4,72 franga. Megjithatë, tregtarët duhet të vendosin vetë nëse do ta pasqyrojnë këtë rritje në çmimet e produkteve apo shërbimeve që ofrojnë.
Një përplasje mes së djathtës dhe së majtës
Për partitë UDC dhe PLR, kjo rritje e TVSH-së përbën një goditje ndaj fuqisë blerëse. “Është një taksë e padrejtë, sepse godet klasën e mesme, e cila detyrohet të shpenzojë shumë për konsum.
Është një taksë që ngadalëson konsumin, ndaj nuk është pozitive për vendin tonë,” shprehet Michael Buffat, këshilltar kombëtar i UDC-së për kantonin e Vaud-it.
Nga ana tjetër, ky kompromis mbështetet nga forcat e qendrës dhe të së majtës.
“Kjo rritje e TVSH-së nuk prek mallrat e domosdoshmërisë bazë, primet e sigurimeve apo qiratë. Pikërisht këto janë shpenzimet që rëndojnë më së shumti mbi familjet, siç janë ato të klasës së mesme apo familjet me të ardhura modeste,” shpjegon Samuel Bendahan, këshilltar kombëtar socialist nga kantoni i Vaud-it.
Në fakt, mallrat e domosdoshmërisë bazë, si ushqimet, ilaçet, produktet e higjienës menstruale, madje edhe lulet – mbeten të paprekura nga kjo masë.
Një kosto shtesë midis 84 dhe 336 frangave
Sipas përllogaritjeve të Administratës Federale të Tatimeve, nëse propozimi miratohet, familjet me të ardhura mujore bruto deri në 4600 franga do të përballen me një kosto shtesë mesatare prej 84 frangash në vit, raporton thelocal, transmeton albinfo.ch.
Kjo do të thotë 156 franga më shumë për të ardhurat midis 6700 dhe 9400 frangave, dhe mesatarisht 336 franga për të ardhurat prej 13,400 frangash bruto në muaj e lart.
“Vetëm familjet më të pasura do të paguajnë më shumë TVSH,” vazhdon Samuel Bendahan. “Për familjet me të ardhura modeste dhe për klasën e mesme, kjo do të jetë në një masë më të vogël. Nga ana tjetër, AHV-ja u sjell dobi të gjithëve.”
Sipas Michael Buffat, i takon Konfederatës të kursejë nga buxheti i saj për të financuar këtë shërbim. “Nuk i takon popullatës t’i shtrëngojë edhe më shumë rripat për ta financuar atë.”
Nëse miratohet, rritja e TVSH-së do të hyjë në fuqi më së herëti më 1 janar 2028.