Kryetari i Prishtinës Përparim Rama u intervistua nga Prokuroria Speciale në cilësinë e të pandehurit për projektin “Arkitekti i Kryeqytetit”, me dyshimet për kryerjen e veprës penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Pas intervistimit ai ka thënë se i takon Prokurorisë të hetojë nëse ka diçka të paligjshme te projekti.
“Unë kam kërkuar vazhdimisht bashkëpunim me Prokurorinë për këtë çështje, por edhe të tjera. Prandaj kam ardhë përkundër faktit që disa si kryeministri që nuk shkojnë, ne jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me Prokurorinë sepse kështu zhvillohet shteti demokratik. Puna ime është zhvillimi i kryeqytetit, puna e Prokurorisë është të dijë që çdo gjë po bëhet në bazë të legjislacionit”, ka thënë ai, transmeton albinfo.ch.