Dy shtetas italianë, të moshës 51 dhe 54 vjeç, janë arrestuar në Itali nën dyshimin për vrasjen e 35-vjeçarit shqiptar, Ferdinant Hoti, transmeton albinfo.ch.
Sipas televizionit publik italian, Rai News, arrestimet janë kryer nga karabinierët pas hetimeve të zhvilluara nga autoritetet italiane.
Hoti ishte gjetur i pajetë më 8 shtator, në ulëset e pasme të një veture Fiat Bravo, e cila ishte fundosur në kanalin Tergola, në San Giorgio delle Pertiche, në provincën e Padovës.
Trupi i tij ishte mbështjellë me qese të zeza plastike dhe fshehur nën goma e materiale të tjera. Vetura nuk kishte targa.
Sipas hetuesve, 35-vjeçari dyshohet se është vrarë me një të shtënë pushke në fytyrë, nga një distancë e afërt. Motivi i mundshëm i krimit lidhet me konflikte të krijuara në kuadër të trafikut të lëndëve narkotike në territorin e Venecias.
Një nga provat që ndihmoi hetuesit në identifikimin e të dyshuarve ishte gjurmë gishtash e gjetur në pjesën e pasme të veturës, në një zonë ku dyshohet se ajo ishte shtyrë për t’u hedhur në kanal.
Policia analizoi gjithashtu dhjetëra orë incizime nga kamerat e sigurisë, përmes të cilave arriti të rindërtonte lëvizjet e fundit të viktimës. Pamjet treguan se Hoti kishte hyrë me veturë në një objekt industrial në Mirano, në provincën e Venecias, ku njëri prej të dyshuarve kishte në dispozicion një hapësirë të përdorur si punishte. Pas kësaj, ai nuk ishte shfaqur më në kamerat e sigurisë.
Gjatë hetimeve, dy të arrestuarit kanë bashkëpunuar me autoritetet dhe kanë ndihmuar në gjetjen e një pushke të kalibrit 12, e cila dyshohet se është përdorur në vrasje.
Ndaj tyre rëndojnë dyshimet për vrasje të rëndë të paramenduar, fshehje të kufomës dhe mbajtje të paligjshme të armës së zjarrit në bashkëpunim. Ata janë dërguar në burgjet përkatëse në Rovigo dhe Verona.
Hetimet po vazhdojnë për të sqaruar plotësisht rrethanat e rastit dhe rolin e secilit prej të dyshuarve./Albinfo.ch