Skip to content

Bebe Rexha këndon në koncertin bamirës “We Can Survive” në Nju Jork

Këngëtarja shqiptare do të ngjitet në skenën e UBS Arena më 28 tetor, në edicionin e 13-të të koncertit që mbështet Fondacionin Amerikan për Parandalimin e Vetëvrasjeve.

Këngëtarja Bebe Rexha do të jetë ndër artistët që do të performojnë të mërkurën, më 28 tetor, në koncertin bamirës “We Can Survive”, që këtë vit mbahet në UBS Arena, në Belmont Park, në Elmont të Nju Jorkut, transmeton albinfo.ch.

Sipas organizatorit, kompanisë mediale Audacy, në këtë koncert do të performojnë edhe Megan Moroney, Michelle Branch dhe Ashe.

Ky është edicioni i 13-të i “We Can Survive” dhe hera e parë që organizohet në Nju Jork. Koncerti nis në orën 19:00 sipas kohës lokale, përkatësisht në mesnatë, në kalimin nga 28 në 29 tetor, sipas kohës së Kosovës.

Në njoftimin e Audacy-t, Bebe Rexha ka shprehur entuziazmin për pjesëmarrjen në këtë ngjarje dhe për mbështetjen e nismës “I’m Listening”. Sipas këngëtares, muzika ka qenë gjithmonë një mënyrë për t’i lidhur njerëzit me njëri-tjetrin.

Një pjesë e të ardhurave nga koncerti do të shkojë për Fondacionin Amerikan për Parandalimin e Vetëvrasjeve (AFSP). Përmes nismës “I’m Listening”, organizatorët synojnë të nxisin biseda të hapura për shëndetin mendor dhe të përcjellin mesazhin se askush nuk duhet të ndihet i vetëm.

Nga skena e Kanës në Nju Jork

Pjesëmarrja në këtë koncert vjen vetëm pak ditë pas paraqitjes së Bebe Rexhës në ceremoninë “NRJ Music Awards”, të mbajtur më 23 tetor në Kanë të Francës.

Atje, këngëtarja interpretoi këngën “New Religion” dhe ishte e nominuar në kategorinë “Artistja ndërkombëtare e vitit”, çmim që iu nda Shakirës.

Gjatë së njëjtës mbrëmje, Bebe Rexha dhe producenti David Guetta interpretuan gjithashtu një përmbledhje të këngëve të tyre të përbashkëta “I’m Good”, “Sad Girls” dhe “Say My Name”./Albinfo.ch