Skip to content

Nga Zvicra, thirrje për pjesëmarrje në zgjedhje në Luginën e Preshevës

Përfaqësues të shoqatave dhe bashkatdhetarë me prejardhje nga Lugina e Preshevës kanë përcjellë mesazhe uniteti për pjesëmarrje në zgjedhjet parlamentare të 25 tetorit në Serbi, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit politik dhe të përfaqësimit të shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës.

Në prag të zgjedhjeve parlamentare në Serbi, nga diaspora shqiptare në Zvicër janë përcjellë mesazhe uniteti dhe thirrje për pjesëmarrje në votime. Lidhja e Shoqatave “Luginas”, kryetari i Asociacionit Qytetar Bujanoci në Zvicër, Memet Qazimi, mjeku Gazmend Haliti dhe kryetari i Fondit Humanitar për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë në Zvicër, Adnan Imeri, kanë shprehur qëndrimet e tyre përmes deklaratave dhe videomesazheve, shkruan albinfo.ch.

Në një deklaratë publike të nënshkruar nga kryetari Fadil Selmani, Lidhja e Shoqatave të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit “Luginas” në Zvicër përshëndet marrëveshjen e subjekteve politike shqiptare për të garuar me listën e përbashkët “Koalicioni Shqiptar”.

Fadil Selmani

Deklarata e vlerëson dialogun ndërmjet përfaqësuesve politikë, duke theksuar se bashkëpunimi duhet të vazhdojë edhe pas zgjedhjeve dhe të shoqërohet me angazhim konkret për qytetarët.

“Qytetarët kanë nevojë për angazhim konkret për të drejtat e tyre, për shkollimin, punësimin dhe mundësinë me e ndërtu të ardhmen në vendlindje. Bashkëpunimi duhet me vazhdu edhe pas zgjedhjeve, me punë, transparencë dhe llogaridhënie ndaj qytetarëve”, thuhet në deklaratë.

“Luginas” i fton qytetarët me të drejtë vote të informohen për programet dhe kandidatët, të marrin pjesë në zgjedhje dhe ta ushtrojnë lirshëm të drejtën e tyre. Njëkohësisht, shoqatat shprehin pritjen për një fushatë të qetë dhe të përgjegjshme, me shqetësimet e qytetarëve në qendër.

Memet Qazimi: Bashkëpunim dhe përfaqësim i denjë politik

Edhe Memet Qazimi, kryetar i Asociacionit Qytetar Bujanoci në Zvicër, në deklaratën e tij i cilëson zgjedhjet e 25 tetorit si një moment të rëndësishëm për shqiptarët e Luginës së Preshevës.

“Si kryetar i Asociacionit Qytetar të Bujanocit në Zvicër, e konsideroj të rëndësishëm bashkëpunimin dhe përfaqësimin e denjë politik të shqiptarëve nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja”, shprehet Qazimi.

Ai përshëndet bashkimin e subjekteve shqiptare në kuadër të Koalicionit Shqiptar, të cilin në deklaratën e tij e identifikon me numrin 17.

“U bëj thirrje të gjithë qytetarëve me të drejtë vote që të informohen për procedurat zgjedhore dhe të marrin pjesë në votim, duke e ushtruar lirshëm dhe me përgjegjësi të drejtën e tyre demokratike”, thekson Qazimi.

 

Dr. Gazmend Haliti dhe Adnan Imeri përcjellin videomesazhet e tyre

Thirrje për pjesëmarrje në votime ka përcjellë edhe dr. Gazmend Haliti, mjek nga Zvicra me rrënjë nga Lugina e Preshevës. Në videomesazhin e tij, ai trajton rolin e diasporës dhe rëndësinë e përfaqësimit shqiptar në Kuvendin e Serbisë.

 

Sieh dir diesen Beitrag auf Instagram an

 

Ein Beitrag geteilt von albinfo.ch (@albinfo.ch)

Me një videomesazh është drejtuar edhe Adnan Imeri, kryetar i Fondit Humanitar për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë në Zvicër. Ai bën thirrje për pjesëmarrje në votime në Luginën e Preshevës, duke e lidhur angazhimin e diasporës me mundësinë e forcimit të përfaqësimit shqiptar në Kuvendin e Serbisë.

 

Sieh dir diesen Beitrag auf Instagram an

 

Ein Beitrag geteilt von albinfo.ch (@albinfo.ch)

Agon Latifi, me rrënjë nga Presheva, vlerëson se pjesëmarrja në zgjedhjet e 25 tetorit 2026 mund të mundësojë zgjedhjen e tre ose katër deputetëve shqiptarë në Kuvendin e Serbisë.

 

Sieh dir diesen Beitrag auf Instagram an

 

Ein Beitrag geteilt von albinfo.ch (@albinfo.ch)

Mesazhet e përcjella nga Zvicra theksojnë lidhjen e bashkatdhetarëve me vendlindjen dhe interesimin e tyre për përfaqësimin politik, të drejtat dhe perspektivën e qytetarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës.

Lexoni po ashtu:

Kamberi për albinfo.ch: Diaspora mund ta forcojë përfaqësimin shqiptar në Kuvendin e Serbisë

Lexoni po ashtu:

Presidentja e Kosovës fton shqiptarët e Luginës së Preshevës të votojnë masivisht më 25 tetor

Lexoni po ashtu:

Tetë subjekte shqiptare në një listë të përbashkët për zgjedhjet e 25 tetorit në Luginën e Preshevës